Avokati Mëngjesi vijon në gjendje të rëndë shëndetësore, drejtori i policisë i shkon për vizitë

Më shumë se 48 orë pas dhunës brutale në zonën e ish Bllokut, avokati Sokol Mëngjesi vijon të jetë në gjendje të rëndë shëndetësore në spital.

Mësohet se ai është në intubim ndërsa gjendja vijon e njëjtë dhe avokati po monitorohet intensivisht nga mjekët.

Fatmirësisht edema që ka në një zonë të trurit nuk është zmadhuar, çka përjashton mundësinë për një ndërhyrje kirurgjikale.

Drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj dhe zv/drejtori Alket Shatro kanë mbërritur paraditen e sotme (31 Maj) në spitalin e Traumës për të vizituar avokatin dhe për të mësuar mbi gjendjen e tij.

Ndërkohë vijojnë ende kërkimet dhe kontrollet për kapjen e tre autorëve të tjerë të shpallur në kërkim, por ende pa rezultat.

Kontrollet janë shtrirë në të gjithë vendin, jo vetëm në Tiranë.

Ende nuk është zbuluar se ku fshihen Drivald Alia, Elton Kasa dhe Romario Tabaku.Sipas sistemit “Tims” agresorët rezultojnë të jenë brenda vendit, por kjo nuk e përjashton mundësinë që ata të kenë kaluar kufirin ilegalisht.

Sokol Mëngjesi u dhunua me sende të forta në kokë në zonën e ish-bllokut, pak minuta pasi kishte lënë djalin e mitur në kopsht.

Porositësi i sulmit dyshohet të jetë Dritan Nano. Ky i fundit kishte refuzuar të shlyente detyrimet ndaj avokatit, edhe pse ky i fundit e kishte fituar procesin gjyqësor për një pronë të trashëguar.

Dritan Nano ka mohuar akuzat ,por dëshmia e të riut Dorjan Alia i cili u vetëdorëzua  dhe pranoi krimin, zbuloi se ai së bashku me 3 të tjerë ishin porositur nga Nano për t’i dhënë një mesazh kërcënues avokatit.