Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministarve, Ëngjëll Agaçi ka paditur gazetarët e emisionit investigativ “Report” në Rai 3 pasi këta të fundit u shprehën në emisionin e transmetuar një vit më parë se Agaçi është njëriu kyç i paktit Rama-Meloni për emigrantët dhe sipas tyre, ai ishte një ish avokat i trafikantëve të drogës.
Në padinë e dorëzuar, Ëngjëll Agaçi ka hedhur në gjyq, gazetarët e emisionit Report, por dhe drejtorin e platformës digjitale ‘RaiPlay’ për shpifje. Po ashtu në padinë e Agaçit kërkohet që ky emision i publikuar te Rai 3 dhe në platformat online, të fshihet urgjentisht, nga çdo faqe e shërbimeve online.
Por çfarë u transmetua në emisionin investigativ për Agaçin?
“Agaçi është një avokat i rëndësishëm shqiptar me zyrë edhe në Romë. Në të kaluarën, klientë të tij ishin edhe disa nga bosët kryesorë të mafies shqiptare, të gjykuar në Itali. Në vitin 2016, disa nga klientët e tij përfunduan në qendër të një polemike ligjore.
Sipas asaj që raportuan magjistratët italianë, shumë bosë të mafias shqiptare, të dënuar me dënime nga 10 deri në 20 vjet në Itali, u ekstraduan shumë lehtë në Shqipëri, ku pasi mbërritën atje ata vuanin dënime shumë më të ulëta ose madje u liruan nga burgu”- thuhet në reportazhin e “Report”.
Fill pas publikimit të këtij investigimi, Rama i cilësoi shpifje skandaloze ato që u transmetuan, duke hedhur akuza të shumta mbi emisionin dhe gazetarët. Edhe vetë Agaçi kishte paralajmëruar se do të ngrinte një padi ndaj emisionit.
Por në disa pyetje që drejtuesi i emisionit i kishte drejtuar Agaçit, ky i fundit e pranonte se ka qenë dikur avokat edhe i shtetasve shqiptarë të përfshirë në procedimet penale për trafik droge në gjykatat italiane, si pjesë e punës së tij.
Më poshtë pyetja drejtuar Agaçit dhe përgjigjja e Sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë.
Pyetje:
– A është e vërtetë që në ushtrimin e profesionit tuaj si avokat në Itali keni kryer funksione asistence ligjore dhe/ose konsulence në favor të shumë shtetasve shqiptarë të përfshirë në procedimet penale për trafik droge në gjykatat italiane?
Përgjigje:
Në veprimtarinë time të gjatë profesionale si avokat në Itali kam asistuar shumë shtetas italianë, padyshim edhe shqiptarë dhe komunitete të tjera të huaja në Itali. Në disa nga procedurat kam ndihmuar ish-klientët e mi të përfshirë në krimet e parashikuara me Dekretin Presidencial 309/90 (Ligji për Narkotikët).