Atentati ku vdiq babai i Roan Brahimit, gjendet i djegur mjeti i autorëve! 64 vjeçari viktimë e përplasjeve të djalit të ekzekutuar një vit më parë

Është gjetur i djegur automjeti i përdorur në atentatin ndaj babait të Roan Brahimit, Gjovalin Prendit, i cili u ekzekutua teksa ndodhej në lokalin në pronësi të tij.

Burimet për mediat bëjnë me dije se mjeti makina tip “Porsche” u gjet në afërsi të fshatit Fushë Gjorm. Aktualisht nuk ka asnjë të dyshuar për ngjarjen, por krimi dyshohet për shkak të aktivitetit kriminal të djalit të viktimës, Roan Brahimit, i ekzekutuar një vit më parë në Athinë.

Po teksa babain e tij e vranë, një atentat që kishte në shënjestër gruan e tij u regjistrua dje në Tiranë. Por autorët ngatërruan shënjestër dhe lanë të plagosur 4 persona, mes tyre nipi dhe djali i pronarit të “Pelikani Security”. Këta të fundit lëviznin me një mjet të njëjtë si ai i gruan së Roan Brahimit, çka dyshohet se ka ngatërruar autorët.

Roan Brahimi njihej si rivali i Ervis Martinajt dhe akuzohej si i përfshirë në atentatin ndaj Ylli Brahimit, ku mbeti i vrarë Klisman Preçi.

Roan Brahimi ishte në kërkim policor edhe për ekzekutimin e Brilant Martinajt dhe miqve të tij, në mbikalimin e Fushë-Krujës, më 17 Korrik 2022.

Ai dyshohej se ishte i përfshirë edhe në vrasjen e ish-policit Gentjan Bejtja, ngjarje që ndodhi disa muaj para se Roan Brahimi të ekzekutohet në kryeqytetin grek.