Arrestohet 18-vjeçari shqiptar në Itali, u kap “mat” duke i shitur drogë një 42-vjeçari

Një 18-vjeçar shqiptar është arrestuar në flagrancë duke i shitur drogë një 42-vjeçari në Caserta.

Mediat italiane raportojnë se 18-vjeçari shqiptar i ka dorëzuar një dozë droge klientit të tij në këmbim të 30 eurove. Por 18-vjeçari sapo ka vënë re forcat e policisë, e zbriti klientin nga makina dhe tentoi të largohej.

Me gjithë manovrën e papritur dhe të rrezikshme, ai u arrit dhe u bllokua menjëherë nga patrulla e policisë.

Në makinën e përdorur nga i riu shqiptar, Ford Puma ngjyrë gri, policia, pas kontrollit, gjeti doza të shumta lëndë narkotike, të fshehura në dorezën dhe në pjesë të tjera të makinës, përfshirë hashash, kokainë me peshë rreth 14 gramë dhe shuma prej 585 eurosh cash, në kartëmonedha të prerjeve të ndryshme, që mendohet se janë të ardhura nga veprimtaria e tregtimit të drogës.

Droga dhe paratë u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.