Arratisja “spektakolare” me çarçafë nga burgu italian, kapet pas 8 vitesh shqiptari Ilir Pere

Ilir Pere, i shumëkërkuar pas arratisjes spektakolare nga një burg Italian më 2016, është arrestuar në Belgjikë, pas gati 8 vitesh arrati .

Ngjarja që ndodhi në 27 tetor të atij viti, ku tre të burgosur shqiptarë u arratisën nga burgu duke përdorur çarçafë, shkaktoi ‘tërmet’ në administratën e institucionit, pasi 11 punonjës dhe ish-drejtori Mauro Mariani u vunë nën hetim.

Mësohet se Pere përdorte emrin e rremë grek Nikolaos Liarakos për t’u fshehur nga policia, teksa ishte shpallur në këkrim ndërkombëtar.

Policia italiane arriti ta arrestonte në Liege pas një operacioni të përbashkët me policinë belge, teksa pritet që të ekstradohet.

Ilir Pere është dënuar me 28 vite burg, si i përfshirë në trafikun e drogës dhe shitjen e armëve në nivel ndërkombëtar. Gjatë marrjes në pyetje, ai pranoi identitetin e tij të vërtetë dhe përdorimin e kriptofonave, por mohoi të ketë pasur një rol të rëndësishëm në trafikun e drogës.

Ai ka rrëfyer se kishte blerë armë për t’u hakmarrë për vëllain e tij të vrarë dhe djegur nga shqiptarë të tjerë. Më tej ai shpjegoi se kriptofonat mund të bliheshin nga furnitorë turq dhe pakistanezë, por vetëm nëse rekomandoheshin. Po ashtu, ai pranoi se u arratis nga burgu Rebibbia më 27 tetor 2016, së bashku me dy miq shqiptarë, konkretisht Tesilvan Basho dhe Mikel Hasanbelliu dhe jetoi i fshehur në Gjermani, Shqipëri dhe Belgjikë për shtatë vjet, me synimin për të fituar para dhe për të qëndruar i lirë.

Pere pranoi se ka bërë biznes edhe me anëtarët e ‘Ndrangheta’.

Pas hetimeve të policisë së Romës, rezultoi se Mikel Hasanbelliu dhe dy të burgosurit e tjerë, Ilir Pere, dhe Tesi Basho ishin njohur në burgun e Rebibbia-s.

Pas arratisjes ata u ndanë menjëherë, ku Mikel Hasanbelliu u kap vetëm 4 muaj më vonë.

Duke përfituar nga kaosi i krijuar dhe paniku që shkaktuan dy tërmetet e fuqishme që goditën Italinë qendrore në muajin tetor, të pasuara nga disa lëkundje më të lehta, ata u hodhën nga dritaret e burgut të Rebibbias në provincën e Lacios, duke i përdorur çarçafët si litarë. Mediat italiane e cilësuan spektakolare arratisjen e shqiptarëve, të cilët përdorën çarçafë për të dalë prej aty. Mungesa e tre shqiptarëve ishte vërejtur mëngjesin e 27 tetorit.