Gjykata e Posaçme e Apelit do të shqyrtojë ditën e sotme kërkesën e ish-kryeministrit Sali Berisha për heqjen e masës së sigurisë “arrest shtëpie”.
Kërkesa është bërë nga Berisha nëpërmnjet avokatëve të tij dhe do të shqyrtohet nga gjyqtarja Ilirjana Olldashi, e cila nxori nga “arresti me burg” Jamarbër Malltezin, dhëndrin e ish-kryeministrit.
Ditën e djeshme Berisha u pyet për rreth 1 orë e 30 minuta në SPAK nga prokurorët Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai për çështjen e privatizimit të kompleksit Partizani, për të cilën akuzohet për “korrupsion pasiv”.
Pasi doli nga ambientet e SPAK, Berisha u ndal të flasë për mediat për më shumë se 20 minuta, duke treguar se çfarë kishte folur me prokurorët e posaçëm. Ai deklaroi se kishte gjetur në SPAK një atmosferë mortore, teksa tha se u kishte thënë prokurorëve se ishte paraqitur në Prokurorinë e Posaçme për të rrëzuar piramidën e tyre të mashtrimeve dhe grupin e tyre të strukturuar kriminal me Edi Ramën.
Berisha nuk i kurseu akuzat ndaj kryeministrit Rama dhe prokurorëve që e morën në pyetje, ndërkohë që tha duke qeshur se në sallë nuk u mor vesh se cili drejtoi më shumë pyetje ai prokurorëve apo prokurorët atij.