Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka apeluar vendimin e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, e cila më 13 gusht vendosi të refuzojë kërkesën për zëvendësimin e masës së “arrestit në burg” me një masë më të butë sigurie.
Avokati i tij, Kujtim Cakrani, ka depozituar ankimimin pranë Apelit të GJKKO-së, duke kërkuar lirimin me detyrim paraqitjeje, ndalim udhëtimi dhe garanci pasurore.
“E nderuara Gjykatë! Me vendimin nr. 546 datë 13.08.2025 të Gjykatës Shkallës parë kundër Korrupsionit dhe Krimit Organizuar, ka vendosur: Rrëzimin e kërkesës së shtetasit Ilir Metaj, për zëvendësimin masës e sigurimit personal nga “arresti në burg” parashikuar nga neni 238 i kodit procedurës penale, në masën e detyrimit për tu paraqitur pranë oficerit të policisë gjyqësore, ndalimi daljes jashtë vendit dhe garancinë pasurore. Duke mos qenë dakord me vendimin e mësipërm vendosëm ta apelojmë pranë Gjykatës Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, thuhet në kërkesën e avokatiit të Metës, Kujtim Cakrani.
SPAK kundërshton lirimin, duke argumentuar se ekziston rreziku që Meta të ndikojë te dëshmitarët nëse lirohet nga burgu. Aktualisht, Meta vijon të mbahet në paraburgimin 313 në Tiranë.