Apeli i GJKKO lë në fuqi dënimin për Edison Memollën, 1 vit burg për kryebashkiakun e Rrogozhinës

Apeli i GJKKO ka lënë në fuqi dënimin me 1 vit burg për kryebashkiakun e Rrogozhinës, Edison Memolla ndërsa  Memolla nuk mundet të mbajë asnjë funksion publik për një periudhë 5 vjeçare.

Sipas SPAK, Edison Memolla, akuzohet për korrupsion zgjedhor. Me dënimin e tij, Bashkia e Rrogozhinës mbetet pa kryetar, duke i hapur rrugë zgjedhjeve të reja.

Memolla u mor i pandehur nga SPAK pas një audio-përgjimi ku tregohej sesi paguante faturat e energjisë elektrike të qytetarëve në këmbim të votave në zgjedhjet e pjesshme të 6 Marsit 2022.

Sipas prokurorisë nga hetimet është provuar se Memolla, në zgjedhjet e parakohshme të 6 marsit, ndikoi tek i pandehuri Blerim Xhamani me detyrë elektriçist pranë FSHU Durrës, dega Rrogozhinë, për të mos i ndërprerë energjinë elektrike një abonenti debitor, me qëllim për të votuar në favor të tij.