Apeli i GJKKO ka rrëzuar kërkesën e bërë nga ish-presidenti Ilir Meta, për të dalë nga burgu.
Meta, përmes avokatit të tij Gylsen Zhllima kishte bërë kërkesë për zëvendësimin e masës “arrest me burg”, me një masa më të butë sigurie.
Kërkesa u rrëzua në seancën e mbajtur këtë të premte në Apelin e GJKKO. Ndërkohë nuk ka vonuar edhe reagimi i Metës pas vendimit të Gjykatës.
Përmes një postimi në rrjete sociale, Meta hedh akuza ndaj Apelit të GJKKO-së se ju shmang gjykimit të ankesës të avokatëve të tij kundër vendimit për vazhdimin e paraburgimit për të mos marrë përgjegjësi.
Sipas tij, u provuan gënjeshtrat e prokurorëve për të manipuluar gjykatën me qëllim zgjatjen e paraburgimin.
Reagimi i Metës:
Asnjë çudi nga drejtësia me regji. Sot gjykata ju shmang gjykimit të ankesës të avokatëve të mi kundër vendimit për vazhdimin e paraburgimit për të mos marrë përgjegjësi.
U provuan qartë dhe me fakte gënjeshtrat e prokurorëve për të manipuluar gjykatën për të zgjatur në mënyrë tërësisht të paligjshme paraburgimin tim.
Për më shumë komunikojmë nesër.