Apartamentet e luksit në Portin e Durrësit/ Berisha: Mos hidhni lekë aty se është skemë piramidale

Ish kryeministri Sali Berisha ka paralajmëruar ditën e sotme qytetarët të mos investojnë në projektin që do të ndërtohet në portin e ri të Durrësit, pasi sipas tij është një skemë piramidale.

Berisha tha se kjo çështje përbën aktin më të madh korruptiv në Europë dhe çështja po ndiqet në Gjykatën Kushtetuese në Strasburg. Ndërkohë në port, prej disa muajsh ka nisur shitja e apartamenteve që ende nuk ekzistojnë. Kompania “Eagle Hills Real Estate Development” njoftoi se më 16 qershor nisin zyrtarisht shitjet për godinën e katërt me apartamente, ndërkohë që në tre godinat e tjera janë shitur të gjitha apartamentet.

“Gjykata Kushtetuese për herë të parë në historinë e ekzistencës së saj, mbyll dyert kur shqyrton dokumentet për një çështje. Çështja është Porti i Durrësit, që përbën aktin më të madh korruptiv sot në Europë, çështje e cila është sanksionuar në rezolutat e Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian.

Ato janë miratuar dhe ne kemi vlerësuar shumë grupin e deputetëve që i ka paraqitur ato amendamente, të cilët konstatojnë se akti është në kundërshtim të hapur me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, marrëveshja e vetme bazë kontraktuale e Shqipërisë me BE, e detyrueshme për të zbatuar nen për nen.
Konstatohet nga parlamentarët europianë se janë shkelur të gjitha parimet e prokurimeve, e konkurrencës dhe lirë dhe janë shtuar dyshime të tjera.

Ka pasur një përpjekje të turpshme të Edi Ramës dhe jo vetëm atij, që të përfshijnë edhe NATO-n në këtë aferë, duke i kërkuar NATO-s që ajo të angazhohet për portin e ri në Porto Romano, në një kohë që Porti i Durrësit prej dhjetëra vitesh është edhe port ushtarak. NATO e ka bërë të ditur se nuk plotësohen kushtet për angazhimin e saj, e ka kuptuar se bëhet fjalë për një vepër mafioze të Edi Ramës.

Ne do e ndjekim në Gjykatë Kushtetuese, në Strasburg dhe paralajmëroj qytetarët e Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë të mos vendosin lekë aty pasi është një skemë piramidale. Ortaku i Ramës është në hetim në Indi, prandaj të mos shpenzojnë lekë në projekte fantazmë”, u shpreh Berisha.