Amnistia/ Bardhi “thumbon” Bashën: Disa i përdorën si “mish për top” protestuesit dhe i lanë rrugëve

Kreu i grupit parlamentar të PD Gazment Bardhi gjatë fjalës së tij në Kuvend, ka folur në lidhje me amnistinë penale dhe kategoritë që përfitojnë teksa pritet të votohet në seancën e sotme.

Bardhi tha se PD ka vendosur që të votojë pro amnistisë pasi u pranuan edhe tre propozimet e tyre.

Ndërsa një mesazh kishte edhe për Lulzim Bashën dhe akuzat e këtij të fundit në lidhje për projektiligjin. Basha më herët në seancën plenare u shpreh që nuk do të përfitojnë protestuesit. Por Bardhi e ironizoi Bashën duke thënë se i përdori si “mish për top” protestuesit dhe më pas i la rrugëve.

Rikujtojmë se pas propozimit të bërë nga PD, do të pushohen 232 çështje të protestuesve të opozitës, siç bëri me dije edhe ministri i Drejtësis Ulsi Manja.

“Dëgjova pse nuk falen protestuesit dhe në fakt kur i përdor si mish për top dhe më pas i le rrugëve, sigurisht që nuk e di pse janë dënuar dhe pse vuajnë gjatë këtyre viteve në dyert e gjykatave. I garantoj protestuesve të PD dhe të shoqërisë civile, se sipas kësaj amnistie dhe amendamentit të opozitës, çdo çështje e hapur dhe dënim i dhënë amnistohet sipas neneve të këtij ligji”, deklaroi Bardhi.