“Ambasadorin italian do e kisha shpallur non grata”, Meta ngre tonet ndaj ndërkombëtarëve: McGonigalët kujtojnë se jemi popull pulash

Me tone të forta ka folur sot kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta gjatë Konventës Kombëtare të kësaj force politike.

Ai solli në vëmendje edhe një deklaratë të ish-ambasadorit italian në vendin tonë, Alberto Cutillo, i cili doli kundër vendimit të Metës në vitin 2019, i cili si president i vendit shfuqizoi dekretin për datën e zgjedhjeve lokale që ishin caktuar të mbaheshin më datën 30 qershor.

Meta mes të tjerash tha se do të kishte shpallur non grata ambasadorin italian në vendin tonë Alberto Cutillo. Por sipas Metës nuk e bëri për shkak të marrëdhënieve që Shqipëria ka me Italianë.

Më tej Meta tha se nuk ndodh në asnjë vend të botës që një ambasador, të diskutojë dekretin e presidentit të Republikës.

Ndërkohë ngriti tonet ndaj ndërkombëtarëve që sipas Metës, “mendojnë se ne jemi popull pulash, që na thonë shkelni Kushtetutën e bëjeni fërtele”.

“McGonigalët kujtojnë se ne jemi popull pulash që na thonë shkelni Kushtetutën e bëjeni fërtele. Kështu e bëni në vendet tuaja? I betoni anëtarët e Gjykatës Kushtetuese tek Lana? E zgjidhni Prokurorin e Përgjithshëm me 69 vota nga 84 që ka Kushtetuta?

Nuk bëhen në një vend europian këto, në vend anëtar. Prandaj respektin për partnerët që na respektojnë si popull, turp për McGonigalët. Turp për Cutillo, do ta kisha shpallur non grata por vetëm për marrëdhëniet me Italinë nuk e bëra.

Të dali ambasadori i Italisë dhe të diskutojë dekretin e presidentit të Republikës, ku ndodh kjo? Le të guxojë ndonjë ambasador në Shqipëri të diskutoj dekretet e Bajram Begajt.

Unë i pari do i tregoj vendin, dhe do mbledh gjithë Shqipërinë përballë asaj ambasade. Sepse presidenti i përket Republikës, dhe Republika u përket qytetarëve. Sovraniteti i përket popullit. Nëndetësja 105 do të kthehet në bazë. Kushtetuta do të kthehet aty ku ishte”- tha Meta mes të tjerash.