Ambasadori i BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato vlerësoi reformën në drejtësi, por tha se ka ende shumë punë për të bërë.
Gjatë një takimi ku në fokus ishte performanca e SPAK, ambasadori tha se duhen inkurajuar institucionet të punojnë më shumë në këtë drejtim.
Megjithatë Gonzato deklaroi se reforma në drejtësi ka dhënë atë që pritej nga Shqipëria, sa i përket pavarësisë e llogaridhënies.
“Vendimet gjyqësore kanë vlerësim dhe ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve. Pavarësia pa llogaridhënie rrit rrezikun për abuzime me pushtetin. Në raportet tona të zgjerimit siç kemi thënë dhe në atë të sundimit të ligjit, kemi thënë se arkitektura e reformës në drejtësi ofron drejtpeshim të duhur dhe të drejtë ndërmjet llogaridhënes dhe pavarësisë. Reforma në drejtësi ka dhënë atë që pritej nga Shqipëria dhe kontribut të madh për ecurinë e mrekullueshme drejt BE. Ka ende shumë punë për të bërë në zbatimin e kësaj reforme, dhe inkurajojmë institucionet përkatëse, në veçanti ato të pavarura të drejtësisë. Ajo që shikojmë sot është pjesë e procesit të anëtarësimit, monitorimi nga shoqëria civile. Të gjitha këto gjëra themelore në çdo sistem”, u shpreh Gonzato.