Altin Dumani në Forumin e Kryeprokurorëve në Tiranë, mesazhet e forta që përcolli kreu i SPAK

I pranishëm në Forumim e Kryeprokurorëve që po mbahet në Tiranë, kryetari i Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani u shpreh se lufta kundër krimit është një betejë, e cila nuk njeh kufij gjeografikë, por ajo kërkon bashkëpunime të ngushta rajonale dhe ndërkombëtare.

“Nuk na bashkon gjeografia, por lufta kundër krimit. Grupet dhe organizatat janë të ndërlidhura, për shpërbërjen e tyre duhet punë si rajon, më shumë hetime të përbashkëta, besim, vizion dhe ndarje informacionesh. Bashkëpunimi me Eurojust, nyje strategjike për bashkëpunim, pasi trajtuam raste komplekse duke punuar së bashku. SPAK ka numrin më të lartë të çështjeve. ” tha ai.

Ai theksoi se grupet dhe organizatat kriminale janë të ndërlidhura dhe për shpërbërjen e tyre kërkohet punë e koordinuar në nivel të gjerë.

“Duhet më shumë hetime të përbashkëta, besim, vizion dhe ndarje informacionesh.”, u shpreh ndër të tjera kreu i SPAK.

Sipas Dumanit, bashkëpunimi me Eurojust përbën një nyje strategjike, që ka mundësuar trajtimin e rasteve të ndërlikuara përmes punës së përbashkët.

Ai pranoi se SPAK po përballet me një fluks të lartë çështjesh dhe se vetëm në periudhën janar-maj janë zhvilluar 10 mbledhje dhe janë krijuar 23 skuadra hetimore me vendet e BE-së dhe rajonit, si dhe 1 skuadër me Amerikën Latine.

“Në janar-maj janë zhvilluar 10 mbledhje, 23 skuadra hetimore me BE e rajonin, një skuadër me Amerikën Latine. Skuadrat e përbashkëta, hetimet financiare dhe rekuperimi i aseteve, ndarja e informacioneve në kohë reale”, tha ai.