Alibeaj i përgjigjet Sali Berishës:”Merr atë pak dinjitet dhe largohu i braktisur”

Enkelejd Alibeaj i është përgjigjur Sali Berishës, i cili ftoi të gjithë deputetët përveç Bashës dhe Alibeajt për t’u ulur dhe për të diskutuar mbi bashkimin dhe lidershipin e PD.

Për një postimi në Facebook Alibeaj thotë se Berisha, i rrënuar moralisht është i paepur që të mbajë peng një pjesë të demokratëve.

Sipas Alibeajt, për Berishën ka vetëm një zgjidhje,  të largohet i braktisur dhe të heshtë duke marrë me vete edhe atë fije dinjiteti, nëse i ka mbetur.

“Humbësi i zgjedhjeve të 14 majit ka vijuar dhe sot serinë e përsëritjes së justifikimeve bajate që nuk ja hanë më as kandidatët dhe as besnikët e tij. I zhytur në mjerimin e mungesës së shpresës dhe alternativës, Sali Berisha vijon serinë e shpalljes së armiqve me shpifjet e zakonshme dhe banalitetin konstant, për të gjjthë ata që mendojnë ndryshe nga ai.  I dëshpëruar por i palodhur nga përpjekja për të përçarë PD, i rrënuar moralisht por i paepur në përpjekjen për të mbajtur peng një pjesë të demokratëve, me ligësinë e dikujt që koha dhe veprat ia kanë shkruar fundin e palavdishëm, ndaj Sali Berishës ka vetëm një zgjidhje: të largohet i braktisur dhe të heshtë duke marrë me vete edhe atë fije dinjiteti, nëse i ka mbetur. Kështu demokratët do të fitojnë mundësinë për të qenë alternativë e re për shqiptarët. Duke lënë pas të shkuarën dhe pa ngarkesat e korrupsionit familjar dhe të shpurës së tij, pesha e të cilave i shërbejnë veçse Ramës e të ngjashmëve të tij për ta mbajtur gjallë në politikë dhe që i kanë lënë demokratët në opozitë”, tha Enkelejd Alibeaj.