Albin Kurti nongrata në SHBA?!/ Rama: Qarkullojnë dokumente të pakonfirmuara por as të mohuara

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar sot se qarkullojnë dokumente se kryeministri i Kosovës Albin Kurti mund të shpallet nongrata nga SHBA. Rama tha se i ka dorëzuar sot Presidentit të Francës dhe kancelarit të Gjermanisë një dokument për asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Ai tha se i intereson më shumë fati i Kosovës pasi ndërkombëtarët janë “të zotët e shtëpisë” në atë vend dhe nëse ata i kthejnë shpinën, Kosova do të ketë ditët e saj më të zeza.

“Nuk është fati i Kurtit sot në lojë, por mua më shqetëson fati i Kosovës”, tha Rama para mediave në konferencën për situatën në veri të Kosovës. I pyetur për aludime që lidhen me mundësinë që SHBA do të shpallë nongrata kryeministrin e Kosovës, Rama u shpreh se nuk ka ende deklrata publike por bëhet fjalë për disa dokumente që qarkullojnë që as janë konfirmuar, por as janë mohuar. Duke e lënë kështu të hapur mundësinë për ekzistencën e një version të shpalljes nongrata të Albin Kurtit. 

“  Nuk hyj farë në këto sepse edhe nuk kanë rëndësi të veçantë nëse janë apo jo të vërteta, përsa kohë nuk janë deklarata publike, por janë dokumente që qarkullojnë të pakonfirmuara, po as të mohuara. Nuk është fati i Albin Kurtit në lojë, por fati i Kosovës si e tërë. Natyrisht që unë dua vetëm suksesin e Albin Kurtit, qeverisë së Kosovës dhe asgjë tjetër, por nuk mund të rrimë më duke parë në kushtet kur realisht ajo që shoh duhet ndarë me të gjithë sepse është një kërcënim që nuk i vjen Kosovës nga Serbia, por nga reduktimi i marrëdhënieve nga aleatet, ku e humbura e madhe është Kosovë.

Thelbi i marrëveshjes është Asosacioni, çfarë kërkojnë ndërkombëtarët që unë i quaj “të zotët e shtëpisë” në Kosovë, sepse ata e kanë krijuar atë shtëpi me bomba, nëse ata i kthejnë shpinën, ajo shtëpi hyn në ditët e saj më të zeza. Nuk bëj komente për Kurtin, është kryeministër i Kosovës, e respektoj. E kam mbështetur edhe kur disa qora e sulmuan si tradhtar pse u ul me Vuçiç në tryezë dhe do e mbështes gjithnjë. Në vend të merremi me këto, merremi me 4 kryetarë komunash. Duhen shpallur zgjedhje të reja, menjëherë. Duhet tërhequr policia menjëherë, rri policia aty kot nëpër godina bosh. Ndërkombëtarët atje janë të zotët e shtëpisë. Nëse trupat e huaja do të marrin veriun e Kosovës çështja do të kthehet në tryezë kushedi përsa vite”, u shpreh Rama.