Akuzohet si pjesë e një organizate kriminale, SPAK shpall moskompetencën për çështjen e ish prokurorit Maksim Sota

Prokuroria e Posaçme SPAK ka shpallur moskompetencën për çështjen gjyqësore që lidhet me ish-prokurorin e Vlorës, Maksim Sota.

Sota akuzohet për “Shpërdorim detyre” në kuadër të grupit strukturuar kriminal. Çështja e tij tashmë i ka kaluar për gjykim gjykatës së Durrësit.

Maksim Sota u arrestua nga SPAK në 2 korrik të vitit 2021, gjatë operacionit të koduar “Shpirti”, së bashku me 28 të tjerë, të dyshuar si pjesë e një organizatë të mirëfilltë kriminale që merrej me kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike. Arrestimet janë shtrirë në Shqipëri, Itali, Mali i Zi dhe Spanjë. Pas arrestimit, për prokurorin Sota u vendos masa e sigurisë ‘arrest shtëpie’. Në 5 korrik 2021, Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi të pezullonte nga detyra prokurorin Sota për shkak të procedimit penal të nisur ndaj tij.

Sota akuzohet për shpërdorim detyre. Sipas dosjes, roli i supozuar i prokurorit Maksim Sota rezulton nga deklarimet e bashkëpunëtorëve të drejtësisë Donial Droli dhe Maringlen Shusha, sipas të cilëve drejtuesi i grupit kriminal shqiptar Ilirjan Duçellari (Zaimi), arrestuar në Shqipëri në korrik 2020, kishte lidhje me prokurorin, madje i kishte siguruar një shtëpi me qira, të cilën e paguante trafikanti. Në këtë banesë Sota jetonte bashkë me Maringlen Shushaj. Prokurori i mohoi akuzat.