Akuzat për vëllanë, Rama: Olsi të përballet vetë me SPAK-un

Kryeministri Edi Rama ka treguar se përse ka refuzuar të komentojë akuzat e bëra ndaj vëllait të tij, Olsi Rama si pjesë e grupit kriminal që lidhet me kokainën e kapur në Xibrakë.

Rama në intervistën për Report TV, tha nuk ka reaguar për akuzat në RAI ndaj vëllait të tij por edhe ndaj atyre të opozitës pasi janë çështje personale dhe diçka të tillë nuk e ka bërë kurrë.

Rama u shpreh se vëllai i tij ka kapacitetin për tu përballur vetë me drejtësinë dhe se çështja ndaj tij, i takon Prokurorisë së Posaçme.

Pyetje: Si ka mundësi që nuk reaguar kur përmendet një pjesëtar i familjes suaj?

Rama: Unë nuk reagoj për çështje personale. Unë nuk kam reaguar për çështjen e tim vëllai as këtu në Shqipëri. Im vëlla është 55 vjeç. Ka të gjithë kapacitetin e tij dhe detyrimin të përballet si gjithë të tjerët. Kështu që ajo është një çështje që i takon këtu tani drejtësisë. I takon SPAK, Gjykatës Speciale. Të vendosin kush është fajtori në këtë. Aty ka një pjesë që më lidh mua, kam bërë këtë kam bërë atë. Dhe për atë pjesë më duket se është padia numër 22, e imja për këta shqiptar që janë bartës të atij mallkimi që kanë shqiptarët që nga 1912.