Aksidentohet autobusi i ekipit të volejbollit të Korçës, anulohet ndeshja me Tiranën

Një aksident është regjistruar sot në Qafë Thanë ku u përfshi autobusi që transportonte ekipin e femrave të volejbollit të Skënderbeut të Korçës.

Ekipi i Skënderbeut në volejboll për femra po udhëtonte drejt Tiranës për të luajtur sot ndeshjen e dytë finale.

Mësohet se mjeti ka dalë nga rruga dhe për pasojë janë dëmtuar disa prej vajzave që ndodheshin në pjesën e përparme të autobusit. Ato janë dërguar në spital për të marrë ndihmën mjekësore të nevojshme. Fatmirësisht, nuk raportohet për dëmtime të rënda apo për rrezik për jetën e ndonjërës prej lojtareve.

Ndërkohë si pasojë e këtij aksidenti ndeshja mes Tiranës dhe Skënderbeut nuk do të luhet sot, ashtu siç ishte parashikuar.