Aksident i rëndë në Fushë-Krujë, tre të lënduar transportohen drejt spitalit të Traumës

Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur paraditen e sotme pranë fshatit Arrameras në zonën e Fushë-Krujës. Dy automjete janë përplasur me njëra-tjetrën dhe për pasojë tre persona kanë mbetur të plagosur rëndë.

Sipas informacioneve paraprake, aksidenti ka ndodhur kur një prej automjeteve ka tentuar të devijojë për t’u futur në një biznes buzë rrugës, duke i prerë rrugën mjetit tjetër.

Si pasojë e përplasjes, një nga makinat ka përfunduar në kanal.

Forcat e Policisë Rrugore të Fushë-Krujës kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje, duke dhënë ndihmën e parë për të plagosurit.

Të lënduarit janë transportuar me urgjencë drejt Tiranës për trajtim më të specializuar mjekësor. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.