Administrata Trump pezullon fondet për programet globale kundër HIV/AIDS

Shtetet e Bashkuara kanë pezulluar pjesërisht financimet për programin e tyre kryesor të ndihmës kundër HIV/AIDS, duke shkaktuar alarm ndërkombëtar mbi ndikimin që kjo masë po ka në shëndetin publik global.

Sipas organizatave ndërkombëtare, këto shkurtimet kanë nisur të ndikojnë ndjeshëm në pacientët që trajtohen për HIV, duke ndërprerë projekte kyçe në shumë vende të botës. Deri më tani, përmasat e plota të shkurtimeve nuk janë të qarta, ndërsa Kongresi vijon betejën me Shtëpinë e Bardhë për bllokimin dhe ridestinimin e miliarda dollarëve të parashikuara për ndihmën globale.

Programi i njohur si PEPFAR (Plani Emergjent i Presidentit të SHBA për Ndihmën kundër AIDS), i nisur në vitin 2003 nga administrata e George W. Bush, ka shpëtuar mbi 26 milionë jetë dhe ka parandaluar miliona infeksione me HIV, veçanërisht në Afrikë.

Vetëm gjatë vitit të kaluar, PEPFAR u ofroi 20.6 milionë personave trajtim jetik me terapi antiretrovirale dhe mbështeti më shumë se 342,000 punonjës shëndetësorë në mbi 50 vende.

Pjesa më e madhe e implementimit të programit realizohej përmes USAID, e cila është shpërbërë më herët këtë vit nga Presidenti Trump, pas një ngrirjeje të fondeve për ndihmat e huaja. Më pas, Departamenti i Shtetit dha një përjashtim për shërbimet jetike si ato të PEPFAR, duke e zhvendosur zbatimin e programit nën kontrollin e vet.

Megjithatë, organizatat jofitimprurëse thonë se projektet po ndërpriten gjithsesi, ndërsa shumë nisma të planifikuara kanë ngecur. Kjo po sjell ndërprerje të rënda në trajtimin mjekësor të pacientëve në Afrikë, Azi dhe Amerikën Latine, duke rrezikuar përpjekjet globale për të luftuar sëmundjen.

Sipas UNAIDS, në shumë vende janë raportuar mungesa të barnave, ulje të stafit mjekësor në klinikat e HIV-it, pezullim të shërbimeve komunitare dhe rritje të stigmatizimit dhe vdekjeve.

“Punën që bënte PEPFAR është tkurrur ndjeshëm që nga janari, sidomos në fushat kyçe të parandalimit, trajtimit dhe kujdesit për HIV,” tha Zahra Zeggani-Bec, përfaqësuese e organizatës në Zimbabve.

Edhe organizata World Vision konfirmoi se programi i saj në Kenia është mbyllur, ndërsa aktivitete që ndihmonin jetimët dhe fëmijët vulnerabël janë ndërprerë.

Të dhënat publike të PEPFAR mungojnë prej muajsh dhe faqja zyrtare e programit thotë se është “në përditësim.” Një raport i UNAIDS tregon se në 28 nga 70 zyra të saj në botë, janë ndërprerë shërbimet e drejtuara nga komuniteti për shkak të ndërprerjes së financimeve amerikane.

Ndërkohë, nuk dihet me saktësi se sa prej këtyre shërbimeve janë rikthyer në funksion, pasi mungojnë të dhënat për fondet e dhëna, kontratat dhe zbatimin konkret të shërbimeve.