Të dielën ndryshon ora, akrepat kthehen 60 minuta pas

Të dielën e fundit të tetorit, akrepat kthehen pas 60 minuta. Ndërrimi i orës do të ndodhë më 25 tetor kur të gjithë do të flemë 1 orë më shumë. Dielli do të lindë më herët në mëngjes, por edhe do të perëndojë më shpejt duke bërë që pasditet të jenë më të shkurtra dhe më të errëta.

Çdo vit, akrepat kthehen një orë prapa në orën 2 të mëngjesit të së dielës së fundit të tetorit. Falë celularëve smartphone, ndërrimi i orës bëhet në mënyrë automatike.

Në vitin 2018, Komisioni Evropian shqyrtoi mundësinë e ndalimit të ndryshimit sezonal të orës dhe organizoi një konsultim publik, ku morën pjesë rreth 4.6 milionë persona.

Megjithëse 84 për qind e pjesëmarrësve mbështetën heqjen e këtij sistemi, vendet anëtare nuk ranë dakord se cila orë duhej të ruhej përgjithmonë. Për këtë arsye, propozimi nuk u vu në zbatim.