Abuzimi në ARRSH, Apeli i Posaçëm lë në burg ish kreun Evis Berberi dhe dy biznesmenët

GJKKO e Apelit ka lënë sot në fuqi masën “arrest me burg” për ish kreun e ARRSH, Evis Berberi dhe dy biznesmenët e lidhur me të, Valter Begaj, dhe Ervis Lami.

Apelin i Posaçëm vendosi të lërë në fuqi masën e Gjykatës së Posaçme për Korrupsion dhe Krimin e organizuar, duke mos pranuar kështu ankimin për lehtësim të masës.

Berberi dhe 2 biznesmenët u arrestuan mbrëmjen e 13 marsit 2024 me urdhër të Prokurorisë së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. SPAK po heton Berberin për “Korrupsion” dhe “Pastrim parash” ndërsa dy biznesmenët për korrupsion aktiv dhe pastrim parash.

Sipas akuzës Evis Berberi gjatë kohës që ka qenë në krye të Agjencisë për Efiçencën e Energjisë dhe në krye të Autoriteti Rrugor Shqiptar ka dhënë 6 tenderë kompanisë së ortakut të tij, Valter Begaj  “NET – GROUP”, sh.p.k. Kjo e fundit përmes transaksioneve paratë i kalonte kompanisë ‘DAAM” që Berberi zotëronte dhe kontrollonte në mënyrë indirekte. SPAK thotë se përfitimi i Berberit ka qenë një shumë gati 2.2 milionë euro të cilat përmes kompanisë ‘DAAM’ shpk. janë investuar në pasuri të paluajtshme.

Njoftimi:

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtarja Saida Dollani, sot më 25.04.2024, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 16 akti, datë 16.04.2024 regjistrimi, mbi ankimet e personave nën hetim E.B., E.L., V.B., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 21, datë 13.03.2024, verifikuar me vendimin nr. 27, datë 16.03.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, disponuar në lëndë të masave të sigurimit personal, dhe vendosi:

Miratimin e vendimit nr. 21, datë 13.03.2024 dhe të vendimit nr. 27, datë 16.03.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.