Ilir Meta është pyetur ditën e sotme lidhur me marrjen në pyetje të Petrit Vasilit për hetimin e SPAK. Pas takimit me Sali Berishën gazetarët pyetën ish presidentin Meta se a e shqetëson thirrja e Vasilit në SPAK.
Sipas kryetarit të Partisë së Lirisë ai nuk ka asnjë shqetësim por ka gjëra shumë më të mëdha për të cilat duhet të shqetësohemi, siç është dhe çështja e inceneratorëve.
“Asnjëherë nuk do të ketë asnjë lloj shqetësimi në raportet e Ilir Metës me drejtësinë, përkundrazi shqetësimi i të gjithëve është afera e inceneratorëve. Problemi dhe shqetësimi kryesor është se paratë e shqiptarëve digjen lumë nga korrupsioni i cili ka si garant kryesor edhe kreun e aferës së djegësve që është vetë kryeministri sepse edhe zoti Ahmetaj, tashmë i arratisur, numri 2 i qeverisë, e bëri të qartë se për këtë aferë ai nuk ishte aq i zoti sa ta çonte përpara, nuk e kishte atë fuqi, të cilën të gjithë e dinë se kush e ka. E ka ai që garanton vazhdimin e aferës, kështu që mos kini asnjë shqetësim, përveç shqetësimit që të mbrohen paratë dhe taksat e qytetarëve shqiptarë,” – u shpreh Meta.
SPAK po heton për çështjen e lobimit për LSI në SHBA në vitin 2017, për të kuptuar nëse ka apo jo korrupsion dhe pastrim parash.