Nga Alton Frye “The Hill”
Politika është plot me paradokse. Sulmi shkatërrimtar i kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu në Gaza, kërcënon më shumë sesa viktimat e dëshpëruara atje. Ajo rrezikon lidhjen jetike midis Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit, por edhe ngre pengesa shtesë për rizgjedhjen në detyrë të presidentit aktual Xho Bajden, një nga mbështetësit më të devotshëm të Izraelit që ka qenë ndonjëherë Shtëpinë e Bardhë.
Pra Bajden po shndërrohet në një dëm anësor në luftën e Netanjahut në Gaza. Presidenti Bajden përballet me “momentin e Ajzenhauerit”. Në vitin 1956, kur aleatët tanë më të ngushtë, Britania dhe Franca, iu bashkuan Izraelit në pushtimin e Egjiptit për të zhbërë vendimin e shtetëzimit të Kanalit të Suezit nga Gamal Naser, ata u kundërshtua shumë ashpër nga presidenti amerikan Duajt Ajzenhauer.
Ai udhëhoqi Kombet e Bashkuara për të dënuar sulmin, përmes një rezolute që përmbante një gjuhë shumë të ashpër. Denoncimi i fuqishëm, e detyroi shumë shpejt Mbretërinë e Bashkuar të pranonte se nuk mund të kryente operacione pa mbështetjen e SHBA-së.
Ndaj në fund Londra e ndërpreu fushatën ushtarake. E gjitha kjo ndodhi gjatë një fushate presidenciale, në të cilën problemet e fundit shëndetësore të Ajzenhauerit ngritën shqetësime nëse ai ishte mjaftueshëm i aftë për të vazhduar detyrën. Sot Bajden përballet me vendime edhe më të vështira.
Presidenti nuk e ka pritur që qeveria Netanjahu të sillej me kaq shumë brutalitet. Por reagimit të Bajden i mungon shpejtësia dhe qartësia që shfaqi dikur Ajzenhaueri. Megjithatë gradualisht, presidenti e ka shtuar presionin ndaj Izraelit për të frenuar hakmarrjen e tij kundër Hamasit dhe për të lehtësuar dërgimin e ndihmës humanitare në Gaza.
Ai e ka rikthyer mbështetjen e vjetër të SHBA-së mbi konsensusin ndërkombëtar, që e dënon si të paligjshëm pushtimin e Bregut Perëndimor nga Izraeli. Madje ka nisur të denoncojë disa kolonë izraelitë për dhunë dhe frikësim ndaj palestinezëve në zonën e pushtuar.
Megjithatë, furnizimet me ushqime nga ajri nga SHBA, Jordania dhe të tjerët, janë tërësisht të pamjaftueshme për të ndihmuar ata që vuajnë në terren. Dhe dorëzimi i premtuar i ndihmës në rrugë detare, do të vijë mbërrijë vonë për të lehtësuar kërkesat emergjente.
Situata e rënduar nuk do të ndikojë aspak për të ndryshuar hakmarrjen që është i vendosur të kryejë Netanjahu. Dhe as nuk do të kontribuojë për të ringjallur lidhjet e veçanta SHBA-Izrael, të cilat janë prishur për shkak të sjelljes së qeverisë izraelite gjatë kësaj krize.
Me vonesë por prerazi, zv/presidentja e SHBA-së Kamala Harris bëri ndaj Izraelit një kërkesë të prerë për një armëpushim në Gaza. Pasi vendosi veton ndaj disa rezolutave të OKB-së, ekipi Bajden ka miratuar tani një thirrje të qartë për të pezulluar menjëherë sulmet, dhe për të filluar lehtësimin masiv për viktimat në Gaza.
Ajo kërkoi nga Këshilli i Sigurimit të kërkojë zyrtarisht që Hamasi të lirojë pengjet që mban ende. Dhe pavarësisht mosmarrëveshjeve të mëdha, presidenti Bajden e ka përsëritur ambicien për sigurimin e një zgjidhje të konfliktit përmes krijimit të 2 shteteve, me një Palestinë të pavarur, së bashku me një Izrael të sigurt.
Në fjalimin e tij vjetor, Bajden e përshkallëzoi këtë qëndrim, duke e vënë theksin tek detyrimet ligjore dhe morale të Izraelit për të shmangur vrasjen e civilëve, dhe për t’u dhënë përparësi nevojave humanitare të këtyre të fundit. Dhe po shtohen presionet që Bajden të ushtrojë një ndikim më të madh ndaj Netanjahut.
Disa demokratë në Senat, i kanë shkruar një letër presidentit, duke kërkuar që ai të kufizojë dërgesat në Izrael të armëve që po përdoren aktualisht në luftën e Gazës. Drejtuesit e shërbimeve sekrete, kanë dëshmuar se si pasojë e sulmeve izraelite fëmijët po vuajnë nga kequshqyerja, dhe uria po bëhet realitet në atë rajon. Në një zhvillim të jashtëzakonshëm, udhëheqësi i shumicës në Senat, Çak Shumer bëri thirrje për një zgjedhje urgjente për të zëvendësuar qeverinë izraelite, duke thënë se Netanjahu e ka humbur toruan.
Të tmerruar nga lufta e Gazës dhe masakrat e Hamasit që e shkaktuan atë, shumë amerikanë po kundërshtojnë tani abuzimin e ushtrisë izraelite me palestinezët civilë, duke protestuar kundër qasjes aktuale të Bajdenit ndaj kësaj lufte. Dhe këto ndjenja mund të kenë pasoja fatale për fushatën elektorale të presidentit aktual të SHBA-së.
Votuesit pro-izraelitë dhe pro-palestinezë, duhet të tregojnë një pjekuri me të cilën nuk janë mësuar, për të shmangur një rezultat që do të dëmtonte synimet e tyre më të mëdha.
A do ta njohin ata pasojën e dëmshme të shfryrjes së dufit të tyre ndaj luftës në Gaza me aktin balancues të Bajden? Të mos shkosh të votosh ose votosh kundër Bajden, do të jetë vetë-shkatërruese.
Sepse kjo do të nënkuptonte dorëzimin e pushtetit tek Donald Trump, i cili ka shumë më pak gjasa të kërkojë vetëpërmbajtje nga Izraeli. Në SHBA por edhe gjetkë, edhe ata që kanë pasur më shumë simpati ndaj Izraelit, gjenden sot në një pozicion shumë të sikletshëm për shkak të qasjen brutale që vazhdon të ndjekë Netanjahu në Gaza.
Ata mbështesin reagimet e fuqishme ndaj Hamasit, por nuk mund të pranojnë vrasjen dhe plagosjen e kaq shumë palestinezëve të tjerë. Votuesit përballen me zgjedhje të vështira, të cilat e kanë shqetësuar kaq shumë administratën Bajden. Si mund të shprehin ata përmes fletës së votimit vendimet e tyre shumëfishta, të ndërthurura dhe të përshtatshme në raport me krizën?
Projektimi dhe zbatimi i veprimeve më të guximshme për të penguar Netanjahun, është një nga sfidat më komplekse të politikës së jashtme në historinë e kohëve të fundit. Sulmi terrorist i Hamasit në tetor 2023, ka qenë shkatërrimtar për mijëra palestinezë që nuk dolën vullnetarë për një mision vetëvrasës.
Bajden nuk mund dhe nuk duhet të braktisë afërsinë e SHBA-së me Izraelin. Por administrata e tij duhet të distancohet njëherë e mirë nga politika personale e Benjamin Netanjahut, në mënyrë që të ndalë dobësimin e mbështetjes popullore për një mandat të dytë.
Vendosmëria e Ajzenhauerit në vitin 1956, solli rënien e qeverisë së Entoni Iden në Britaninë e Madhe, duke i dhënë fund karrierës së një udhëheqësi të shquar. A do të jetë Netanjahu apo Bajden që do të paguajë këtë vit koston më të madhe politike?
Sa paradoksale dhe ironike, do të ishte nëse tragjedia e madhe e luftës së Gazës, do të ndërlikohej nga disfata politike e presidentit amerikan, që është shprehur kundër teprimeve të Benjamin Netanjahut dhe Donald Trumpit.