A do të ketë takim mes tyre këtë javë? Kurti: Do vendos pasi të mësoj gjendjen e tre policëve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiç nuk duket se janë ende gati për dialog. Javën e kaluar përfaqësuesi i lartë i BE, Josep Borrell, tha se do t’i ftonte dy krerët për një takim urgjent kësaj jave për menaxhim të krizës.

Por Kurti ka thënë se ky takim do të realizohet vetëm pas vizitës të shefit të zyrës në  Beograd, Jetish Jashari tek tre policët e rrëmbyer që po mbahen në paraburgim në Kralevë.Kurti bëri me dije se Jashari pritet të shkojë nesër të vizitojë tre policët e burgosur dhe më pas, pas këtij takimi, do të marrë vendimin lidhur me takimin me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Ai ka shtuar se ka kërkuar nga Policia e Kosovës ta reduktojë numrin e pjesëtarëve të saj në katër komunat veriore gradualisht dhe proporcionalisht me kushtin që të ketë sundim të ligjit.

Por më herët Vuçiç deklaroi në një fjalim të jashtëzakonshëm drejtuar kombit se Serbia do të reagojë “nëse nuk mund t’i mbrojë njerëzit nga masakrat”. Ai ka shtuar se pret që “kryetarët e rremë” në veri të Kosovës të japin dorëheqje dhe njësitë speciale të Kosovës të tërhiqen nga veriu. Sipas tij, deri atëherë nuk dëshiron të takohet dhe të bisedojë me Kurtin.

“Vendimet do t’i marrim vetë, nuk do të konsultohemi me askënd. Nuk kemi asnjë detyrim ndaj askujt tjetër. Sa i përket dialogut, ai është krejtësisht i pakuptimtë”, ka pretenduar Vuçiç.

Ai ka thënë se për shumë vjet “është përpjekur të ruajë paqen dhe stabilitetin” në çdo mënyrë, por serbët nuk janë parë asnjëherë si europianë.