Kryetari i Partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për përshkallëzimin e situatës gjatë protestës, duke e cilësuar reagimin e policisë si të papranueshëm. Nga sheshi, ai kërkoi dorëheqjen e kreut të qeverisë, duke e konsideruar atë si kushtin kryesor për t’i dhënë fund tensioneve.
Shehaj deklaroi se qytetarët kanë protestuar prej më shumë se 140 ditësh, duke kërkuar largimin e Ramës dhe ndryshimin e sistemit politik. Sipas tij, reagimi me forcë ndaj protestuesve nuk e dobësoi lëvizjen, por përkundrazi ndikoi në zgjerimin e saj dhe në përshkallëzimin e situatës.
Kreu i “Mundësia” ia atribuoi kryeministrit përgjegjësinë kryesore për dhunën dhe shkatërrimet që, sipas tij, kanë shoqëruar protestën. Ai akuzoi gjithashtu Ramën se po drejton vetë policinë, me synimin për të mbrojtur pushtetin e tij dhe jo shtetin.
“Rama duhet të njoftojë dorëheqjen nëse duam që kjo të mbarojë. Kur ai të japë dorëheqjen, mbaron çdo dhunë dhe protestë. Qëllimi kryesor i kësaj lëvizjeje është dorëheqja e tij”, u shpreh Shehaj.
Gjatë prononcimit, kreu i Partisë “Mundësia” reagoi edhe ndaj etiketimit të të rinjve si “dështakë”, duke mbrojtur ata që zgjedhin të qëndrojnë në Shqipëri dhe kërkojnë ndryshim. Ai akuzoi qeverinë për korrupsion dhe favorizim të miqve e familjarëve në ndarjen e pushtetit.
“Ata janë shumë të aftë; nuk quhet aftësi të abuzosh me detyrën dhe të ndash pushtetin me miqtë dhe familjarët e tu”, deklaroi Shehaj, duke theksuar se të rinjtë që kërkojnë një të ardhme në vend nuk mund të zhvlerësohen për shkak të qëndrimeve të tyre.
“Veprimet e policisë janë kriminale. Edi Rama kërkon të rrijë në pushtet me çdo kusht, pavarësisht protestave. Ka mbi 140 ditë që protestohet. Qytetarët si kurrë më parë kërkuan në mënyrë paqësore largimin e tij dhe ndryshimin e sistemit politik 35-vjeçar. Rama reagoi si çdo autokrat i rendomtë: me dhunë. Mendonte se përmes dhunës do ta fikte protestën, por ndodhi e kundërta, protesta u bë edhe më e madhe dhe situata u shkallëzua. Nëse ka dhunë dhe shkatërrime, përgjegjësi kryesor është vetëm Edi Rama. Rama duhet të njoftojë dorëheqjen nëse duam që kjo të mbarojë. Kur ai të japë dorëheqjen, mbaron çdo dhunë dhe protestë. Qëllimi kryesor i kësaj lëvizjeje është dorëheqja e tij. Edi Rama po e drejton vetë policinë, jo drejtori i policisë. Rama është në krye të detyrës jo për të mbrojtur shtetin, por për të mbrojtur veten e vet. Ky që ka dhënë në qeverisjen e tij vetëm korrupsion, u thotë ‘dështakë’ të rinjve të vendosur që duan të jetojnë në Shqipëri. Ata janë shumë të aftë; nuk quhet ‘aftësi’ të abuzosh me detyrën dhe të ndash pushtetin me miqtë e familjarët e tu”, tha Shehaj për Neës 24.