Gjimnazistja denoncon nga protesta: Oficeri na kërcënoi me përjashtim nga shkolla

Të rinjtë të cilët janë në ditën e shtatë të revoltës, kanë treguar se si po kërcënohen që të mos marrin pjese në protestë.

Mes tyre ishte edhe një vajzë, gjimnaziste, e cila tregoi për mediat se oficeri i shkollës i kishte kërcënuar me përjashtim nga shkolla në rast se do ti bashkoheshin protestës.

Vajza u shpreh se të rinjtë po detyrohen të largohen nga Shqipëria, ndërsa tregoi se familja e saj nuk e di që ajo ndodhet në protestë, pasi ka frikë nga reagimet.

“Duam të drejtat tona. Po na i vjedhin. Po na bëjnë që të ikim me zor jashtë shtetit. Si flenë gjumë ata policë, kur kanë fëmijë dhe vetë? Si nuk i vjen keq?! Jam gjimnaziste e vitit të tretë. S’e di asnjë nga familja ime që jam këtu. Kanë frikë nga ata që janë rreshtuar aty për të na rrahur ne. Ku do e kenë fytyrën ata që na rrinë përballë? Oficeri i shkollës sot na kërcënoi hapur se do të përjashtoheshim nga shkolla nëse i bashkoheshim protestës. Këto reagimet e Ramës janë kërcënime të pavlera. Do e shohë ai nesër, kur të bjerë nga pushteti, se kush është rinia shqiptare”, u shpreh gjimnazistja.