‘I kanë dhunuar’/ Shehaj shkon në Komisariatet ku po mbahen minorenët, takon edhe prindërit

Kryetari i Partisë Mundësia Agron Shehaj së bashku me deputetin Erald Kapri vizituan disa komisariate në Tiranë pas mesnatës së mbrëmshme në të cilat shprehen se janë të tejmbushura me të rinj, të reja dhe minorenë të arrestuar nga policia.

Shehaj ka kërkuar llogari nga efektivët në Komiariat për forcën e tepër të ushtruar gjatë shoqërimeve dhe dhunën ndaj të miturve.

Sipas Shehajt, gjithçka po ndodh ka vetëm një qëllim, mbrojtjen e pushtetit të Edi Ramës që nuk pranon të dëgjojë zërin e qytetarëve që i kërkojnë atij dorëheqjen.

“Ke marrë një 17-vjeçar e ke arrestuar. E pe si e morët zvarrë? 10 burra me një 17-vjeçar. Për Edi Ramën gjithçka, që do pushtetin me çdo kusht”, dëgjohet të thotë Shehaj në video.

Shehaj dhe Kapri kanë folur nga afër me të rinj të arrestuar, të cilët kanë pranuar se i kanë dhunuar brenda furgonëve të policisë gjatë shoqërimit në Komisariate.

Ndërsa një pjesë e të rinjve kanë deklaruar për dy deputetët e Mundësia se ishin kalimtarë të rastit kur janë marrë nga efektivët.

“Jam student. Thjesht isha duke ecur me shokët dhe na ndali policia, afër Kryeministrisë duke shkuar për Bllok. Isha duke ecur. Brenda janë 15 çuna. Kanë shenja dhune, janë nja 2-3 veta”, shprehet njëri prej tyre.

“Për të plotësuar numrin i kanë marrë”, ndërhyn një tjetër.

Kryetari i Mundësia, Shehaj dhe deputeti Kapri kanë takuar edhe prindërit e të rinjve që prisnin përgjigje jashtë Komisariateve, të cilët kanë shprehur shqetësim për shoqërimin e fëmijëve të tyre.

“Një orë kemi plot, asnjë përgjigje. Unë e njoh djalin tim. Djalë më të urtë nuk ka, e kanë gjetur në rrugë e kanë marrë e kanë shoqëruar pa e pyetur fare. Ai i ka thënë a lejohet të kalohet këtu. Student i Inxhinierisë është”, thanë prindërit që prisnin jashtë derës së Komisariatit.

Sipas tyre, janë të bindur që shoqërimet e të rinjve janë bërë pa arsye.

“E kanë arrestuar kot aty përpara Kryeministrisë. E kam videon. Po bëni gabim që po i shërbeni një krimineli, Edi Ramës”, tha një tjetër familjar i të arrestuarve.