Shtëpia e Bardhë i ka kërkuar Kimberly Guilfoyle të japë dorëheqjen nga detyra e ambasadores së Shteteve të Bashkuara në Greqi, pas një sërë raportimesh që ngritën pretendime për sjellje të papërshtatshme gjatë kohës që ushtronte detyrën.
Lajmin e konfirmoi të martën zëdhënësja e re e Shtëpisë së Bardhë, Katie Zacharia, gjatë konferencës së saj të parë për mediat.
“I kemi kërkuar ambasadores Guilfoyle të japë dorëheqjen. Ajo ka qenë një pjesë shumë e vlefshme e ekipit tonë dhe i urojmë suksese”, tha Zacharia.
Kërkesa për dorëheqje vjen pas raportimeve se Guilfoyle dyshohet se kishte kërkuar para në këmbim të sigurimit të aksesit te figura të administratës amerikane përpara se të konfirmohej në detyrë nga Senati.
Po ashtu, raportimet pretendojnë se ajo kishte pranuar dhurata të kushtueshme gjatë kohës që shërbente si ambasadore dhe kishte marrë me vete në takime zyrtare një lobist të një kompanie greke ndërtimi.
Një nga pretendimet më të rënda është bërë nga Eric Deters, ish-donator i Donald Trump.
Ai deklaroi se Guilfoyle i kishte kërkuar, përmes një mesazhi, t’i transferonte 100 mijë dollarë për të shlyer një kartë krediti American Express, në ditët përpara konfirmimit të saj nga Senati.
Sipas Deters, ajo i kishte premtuar se do të ishte mbështetësja e tij e palëkundur brenda administratës Trump, nëse ai do t’i dërgonte paratë.
“Nuk ka asnjë dyshim se bëhej fjalë për një marrëveshje shkëmbimi favori”, deklaroi Deters për gazetarin e CNN, Jake Tapper, javën e kaluar.
Deters tha se nuk ia kishte transferuar shumën Guilfoyle, pasi në atë kohë nuk dispononte likuiditetin e nevojshëm.
Në një deklaratë për CNN, avokatët e ambasadores hodhën poshtë pretendimet e tij. Sipas tyre, Deters i detyrohej Guilfoyle para për fjalime dhe shërbime konsulence, ndërsa deklaratat e tij janë të pavërteta.
“Kur zonja Guilfoyle po përgatitej të largohej nga sektori privat për t’i shërbyer publikut, ajo bëri atë që do të bënte çdo profesionist: u përpoq të mblidhte detyrimet e papaguara. T’i kërkosh një klienti të paguajë për punën e kryer nuk është korrupsion”, thuhet në deklaratën e avokatëve.
Të hënën, presidenti amerikan Donald Trump konfirmoi se po shqyrtonte mundësinë e largimit të Guilfoyle nga posti diplomatik.
“Po e shqyrtojmë. Po, nuk jemi të kënaqur”, u tha Trump gazetarëve, teksa po largohej nga Shtëpia e Bardhë.