Në politikë, burrëria nuk matet me fjalët e forta, por sesa i aftë je për t’i mbajtur ato. Dhe në politikën shqiptare, ku interesat personale vihen gjithmonë para atyre të Shqipërisë, t’i qëndrosh fjalëve që thua bëhet një mision i pamundur.
Prej disa ditësh, Erion Braçe doli hapur kundër Reformës Territoriale, e cila ulte numrin e bashkive në vendin tonë nga 61 në 46.
Ky qëndrim prej opozitari i Erion Braçes u mbështet nga qytetarët, të majtë e të djathtë. Dhe kjo nuk ishte hera e parë që deputeti socialist dilte kundër vendimeve të qeverisë, por ndryshe nga herët e tjera, këtë herë kishte deklaruar publikisht edhe se do të votonte kundër.
Këtë qëndrim Braçe e mbajti edhe në fjalën e tij në seancën plenare ditën e djeshme, ku jo vetëm që e kundërshtoi Reformën, por edhe bllokoi foltoren për të mbrojtur deri në fund qëndrimin e tij.
Por gjithçka ndryshoi në momentin e votimit, sepse në votim, Erion Braçe së bashku me gjithë kukullat e tjera të Ramës ngriti kartonin jeshil, duke bërë të mundur miratimin e Reformës Territoriale.
Dje ishte edhe shfaqja e fundit teatrale e “opozitarit” Braçe, që tregoi se burrërinë e ka vetëm te fjalët. Tashmë, është e kotë që Erion Braçe të dalë e të justifikohet, apo edhe më keq, të vijojë të bëjë rolin e opozitarit brenda Partisë Socialiste.
Erion Braçe e pati shansin e tij për të treguar se nuk lufton për karrige, por për interesin e Shqipërisë, që kolegët e tij e kanë harruar me kohë, e të cilëve iu bashkua edhe ai mbrëmjen e djeshme.