“Murtaja Portokalli”: Statuja e Trumpit nudo shfaqet në Parlamentin Europian

Një statujë e artë që paraqet presidentin amerikan Donald Trump tërësisht të zhveshur, duke shtypur mbi shpinë një burrë më të vogël, është ekspozuar në ambientet e Parlamentit Europian në Strasburg të Francës.

E titulluar “The Orange Plague” (Murtaja Portokalli), vepra 2.6 metra e lartë është krijuar nga artisti danez Jens Galschiøt. Statuja paraqet Trumpin lakuriq, me një shkop golfi në njërën dorë dhe një peshore në tjetrën, ndërsa qëndron ulur mbi shpinën e një burri më të vogël e më të dobët.

Sipas artistit, vepra është e veshur me ar 23-karatësh dhe njihet gjithashtu me emrin “Mbreti i Padrejtësisë”.

Poshtë statujës është vendosur një pllakë me mbishkrimin:

“Jam ulur mbi shpinën e një burri. Ai po fundoset nën peshën time. Do të bëj gjithçka për ta ndihmuar. Përveçse të zbres nga shpina e tij.”

Galschiøt tha se vepra është frymëzuar nga përralla e Hans Christian Andersenit, “Rrobat e reja të perandorit”, dhe e përshkroi atë si një “thirrje satirike” kundër politikave të Trumpit dhe qëndrimeve të tij për klimën dhe politikën e jashtme.

Sipas artistit, shtetet dhe organizatat joqeveritare kanë frikë të kritikojnë hapur Trumpin dhe politikat e tij, për shkak të mundësisë së tarifave, shkurtimit të fondeve, dëbimeve apo masave të tjera.

“Si një studio e pavarur arti, ne nuk jemi të kufizuar nga këto lidhje. Kjo skulpturë është krijuar për të trajtuar ‘elefantin në dhomë’ dhe për të nisur një debat të nevojshëm”, ka shkruar Galschiøt në faqen e tij.

Vizitorët e ekspozitës marrin gjithashtu një version në miniaturë të statujës, të printuar në 3D. Artisti thotë se ka prodhuar rreth 20 mijë kopje, të cilat ua ka shpërndarë jo vetëm vizitorëve, por edhe punonjësve të Parlamentit Europian.

Deputeti danez i Parlamentit Europian, Per Clausen, i cili ftoi artistin për ta ekspozuar veprën, tha se nuk shqetësohet për një reagim të mundshëm të Trumpit.

Statuja ishte ekspozuar më herët gjatë protestave “Hands Off Greenland” në Kopenhagë dhe në samitin e OKB-së për klimën, COP30, në Belém të Brazilit.

Pas ekspozimit në Strasburg, Galschiøt planifikon ta prezantojë sërish veprën në konferencën e OKB-së për klimën, COP31, që do të zhvillohet muajin e ardhshëm në Antalia të Turqisë.