Shqipëria me 15 bashki më pak, Kuvendi miraton me 85 vota pro Reformën Territoriale

Kuvendi miratoi me 85 vota pro projektligjin për ndarjen e re administrative dhe territoriale, i cili parashikon shkrirjen e 15 bashkive.

Në një seancë maratonë, që nisi që prej orës 10:00 të mëngjesit të së enjtes dhe zgjati deri pas mesnate, pati debate të shumta mes opozitës dhe mazhorancës.

Megjithatë, ashtu siç pritej, projektligji u votua me 85 vota, pavarësisht se disa deputetë të PS kishin dalë kundër.

Mes tyre, Erion Braçe dhe Elisa Spiropali. Megjithatë ata nuk guxuan të dilnin kundër kryeministrit Edi Rama i cili u kishte dhënë ultimatum, se kush nuk e votonte duhet të ikte vete.

Votimi u krye në momente kaosi dhe tensionesh, teksa deputetët e PD u revoltuan duke hedhur sende të forta drejt kryeministrit Edi Rama, i cili mbërriti në sallën e Kuvendit pak çaste para se të niste votimi.

Projektligji për reformën territoriale parashikon uljen e numrit të bashkive në Shqipëri nga 61 në 46. Sipas hartës së propozuar, 15 bashki do të humbasin statusin si njësi më vete dhe do t’i bashkohen bashkive të tjera.

  • Fushë-Arrëzi i bashkohet Pukës.
  • Klosi i bashkohet Matit.
  • Rrogozhina i bashkohet Kavajës.
  • Dimali i bashkohet Beratit.
  • Poliçani i bashkohet Beratit.
  • Patosi i bashkohet Fierit.
  • Divjaka i bashkohet Lushnjës.
  • Selenica i bashkohet Vlorës.
  • Maliqi i bashkohet Korçës.
  • Këlcyra i bashkohet Përmetit.
  • Memaliaj i bashkohet Tepelenës.
  • Libohova i bashkohet Gjirokastrës.
  • Cërriku i bashkohet Elbasanit.
  • Belshi i bashkohet Elbasanit.
  • Përrenjasi i bashkohet Librazhdit.