Aktakuza e rishikuar përmend në disa raste përfshirjen e agjencisë së frikshme të inteligjencës ushtarake të Venezuelës, DGCIM.
Autoritetet amerikane kanë akuzuar të enjten ish-presidentin e Venezuelës, Nicolás Maduro, dhe bashkëshorten e tij, Cilia Flores, për komplot për torturimin e qytetarëve venezuelianë me synimin për të qëndruar në pushtet.
“Maduro autorizoi përdorimin e torturës ndaj individëve të caktuar dhe mbikëqyri një sistem të krijuar për të përdorur torturën, ndalimin arbitrar dhe dhunën si mjete represioni ndaj opozitës politike”, thuhet në aktakuzën e rishikuar.
Sipas dokumentit të gjykatës, mijëra venezuelianë janë “ngacmuar, kërcënuar, arrestuar, ndjekur penalisht, sulmuar, torturuar ose vrarë” nga persona që vepronin në emër të qeverisë së Maduros.
Abuzimet e pretenduara përfshinin goditje elektrike, rrahje dhe mbytje. Maduro akuzohet gjithashtu se ka miratuar metoda torture dhe se ka kërcënuar personalisht me vrasjen e fëmijës së një të burgosuri, si formë e torturës psikologjike.
Aktakuza pretendon se mes viktimave të torturës ishin edhe tre shtetas amerikanë, identitetet e të cilëve nuk bëhen publike në dokumentet e gjykatës.
Aktakuza e re shton presionin ligjor ndaj Maduros, i cili tashmë përballet me akuza për komplot për kontrabandimin e kokainës drejt Shteteve të Bashkuara. Tashmë ai përballet edhe me akuza për shkelje të të drejtave të njeriut të kryera gjatë periudhës së tij në pushtet.
Maduro dhe Flores ndodhen të ndaluar në Nju Jork që prej janarit, pasi forcat amerikane i kapën gjatë një operacioni gjatë natës në banesën e tyre në Karakas.
Të dy janë deklaruar të pafajshëm ndaj akuzave për trafik droge dhe, nëse shpallen fajtorë, mund të përballen me burgim të përjetshëm.
Maduro është hetuar gjithashtu nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për krime të dyshuara kundër njerëzimit, të lidhura me goditjen e kundërshtarëve politikë. Ai i ka mohuar vazhdimisht akuzat për çdo shkelje.