Deputeti Erion Braçe ka folur me tone të forta në Kuvend kundër draftit të Partisë Socialiste për reformën territoriale që parashikon shkrirjen e 15 bashkive.
Braçe tha se kjo nuk është reformë, dhe se janë shkelur parimet. “Ne me këtë ligj sot ndryshojmë jetën e njerëzve në 15 bashki”- tha me ton kritik Braçe, duke dalë kundër kolegëve të tij socialistë.
Ndërkohë shtoi se nuk ka pasur transparencë në hartimin e këtij projektligji.
“Im atë lindi 82 vite më parë në Lozhan, në bashkinë Maliqaj. Bashkë me tim atë lindën atje edhe dy xhaxhallarët e mi. Ime më lindi në Libohovë, në një qytet me kala, jo për t’i bërë karshillëk Gjirkastrës. Unë linda në Kombinat. Tirana e shtynte Kombinatin në këtë mënyrë, një qytet industrial i lënë mënjanë. Po e thekson këtë fakt për të treguar se e kuptoj fare qartë çdo qytet që u ngrit në funksion të industrisë. Këto elementë e sollën që unë të zgjidhem deputet për herë të parë në Poliçan. Njerëz që janë në këtë sallë më donin të gjymtuar edhe humbës. Poliçanin nuk e kisha dëgjuar kurrë më parë. Në vijim për 17 vite me radhë, njerëz të tjerë, përfshi edhe ata nga Poliçani, Berati në tërësi, më dhanë punën, nderin e pafund për të përfaqësuar në Kuvend njerëz si ata. Më pas në Divjakë, Lushnjë, etj, njerëz të tjerë më dhanë punën dhe nderin, për t’i përfaqësuar, për të jetuar me ta dhe për ta.
Kush mirënjohjen se njeh, vazhdimisht lidhjen me këta njerëz nuk e ka kuptuar. Nuk është as emocionale e as folklorike kjo, është marrëdhënie njerëzore. Janë bërë eksperimente pas ekperimenti. Kam qenë këtu në këtë Parlament, kur kryetarët e bashkive u bënë edhe deputetë. Kur zonat elektorale kaluan kufijtë e bashkive. Qeverisja qendrore për shkak të definicioneve kushtetuese u vendos larg nga qytetari. Pushteti vendor është pushteti i qytetarit, sepse ai është më pranë tij. Reforma, ndërkohë ky që kemi përpara është një ligj, që vizaton një hartë të re territoriale. Harta e provuar shumë herë është e përkohshme, e paqëndrushme dhe si reformë tërësisht e pamjaftueshme. E kam dëgjuar se harta është produkt i përfitimeve politike, më troç votës. Më e keqja është se këtu jemi edhe sot.
Edhe kjo hartë që me gjasë do të ndryshojë sot, do të marrë fuqi nga 2031. Unë mendoj se qëndrueshmëria e reformave vjen nga parimet. Parimet janë shkelur, nuk janë respektuar njësoj kudo në këtë hartë. Ne me këtë ligj sot ndryshojmë jetën e njerëzve në 15 bashki. Madje ndryshojmë jetën e njerëzve edhe në bashkitë e tjera që ato po i përthithin. Por kaq me thjeshtësi e marrim ne ndryshimin e jetës së njerëzve, të cilët kanë bërë plane për jetën e tyre? Bie dakord që populli ushtron sovranitetin përmes përfaqësuesve të zgjedhur me votë. Kjo kërkon përgjegjësi e përgjegjshmëri. Që të ndodhë kjo duhet transparencë efektive. Transparencë efektive nuk ka patur, jo për shkak të ndarjes partiake këtu. Kur kriteret që justifikojnë këtë ligj janë të gjitha me karakter ekonomik e financiar. Mes lumit të informacionit që nuk u nda me ne, do ishte e udhës që informacioni të ishte korrekt.
Këto kompetenca u transferuan pa buxhet, ose me buxhet të pamjaftueshëm. Po 46 kompetenca kanë sot bashkitë. Një pjesë e madhe e tyre janë formale, për të mos thënë banale. Prodhimi, transportimi dhe furnizimi me ujë të pijshëm janë funksion i bashkive. Po seriozisht e thoni këtë? Po nuk kemi krijuar ne disa Sha që nuk janë nën kompetencë të bashkive? Ne po na mbysin lumenjtë në Lushnjë e Divjakë. Dua te ndalem edhe te thelbi. Aty flitet për decentralizim të kompetencave. Bujqësia, zhvillimi rural dhe pyjet, bashkitë kanë vetëm 6 kompetenca, pjesën më të madhe të të cilave i disponon edhe si buxhete qevera qëndrore. Mbylleni mikrofonin, do e flas me zë, kam ngrënë vezë nga fshati”, tha mes të tjerash Braçe.