Gjermania përballet me rekord kërkesash për kundërshtimin e shërbimit ushtarak

Një total prej 12.102 kërkesash për kundërshtim sipas ndërgjegjes personale  janë paraqitur në Gjermani nga janari deri në gusht të këtij viti, tha për RND (Redaktionsnetzwerk Deutschland) një zëdhënëse e Zyrës Federale për Çështjet Familjare dhe Shoqërinë Civile (BAFzA). Ky numër është tashmë trefishi i kërkesave të paraqitura gjatë gjithë vitit të kaluar.

Në vitin 2025 u regjistruan 3.879 kërkesa, krahasuar me 2.249 në vitin 2024. Deri në fund të qershorit 2026, Zyra kishte regjistruar 5.862 kërkesa, që do të thotë se numri i tyre pothuajse u dyfishua gjatë dy muajve pasues.

Nevojitet shpjegim i detajuar

Kërkesat për kundërshtim nuk paraqiten vetëm nga rezervistët dhe ushtarët aktivë, por edhe nga persona që nuk kanë shërbyer kurrë në ushtri, ndonëse shërbimi i detyrueshëm ushtarak aktualisht nuk ekziston. Shërbimet e këshillimit raportojnë një rritje të interesimit nga qytetarët.

BAFzA thekson se e drejta për të refuzuar shërbimin ushtarak dhe mbajtjen e armëve për arsye ndërgjegjeje mbetet e garantuar nga Neni 4, paragrafi 3 i Kushtetutës gjermane, pavarësisht faktit që shërbimi ushtarak është vullnetar.

Një kërkesë për kundërshtim të ndërgjegjshëm duhet të dorëzohet me shkrim në Zyrën Federale për Menaxhimin e Personelit të Bundeswehr-it dhe duhet të përmbajë një shpjegim të detajuar, të hartuar personalisht, mbi arsyet e kundërshtimit.

Ligji i ri ushtarak, një shkak i mundshëm i rritjes

Një nga arsyet kryesore të rritjes së numrit të kërkesave mendohet të jetë përkeqësimi i situatës së sigurisë, si dhe hyrja në fuqi e Aktit të ri të Shërbimit Ushtarak më 1 janar të këtij viti.

Pjesa qendrore e ligjit është kontrolli i detyrueshëm mjekësor dhe ushtarak për të rinjtë e lindur në vitin 2008 dhe më pas. Qëllimi është të sigurohet një numër i mjaftueshëm vullnetarësh për forcimin e ushtrisë gjermane, Bundeswehr-it. Nëse objektivi i numrit të ushtarëve nuk arrihet, Bundestagu mund të aktivizojë të ashtuquajturin “detyrim ushtarak të bazuar në nevoja”.

Reklamë

Autoritetet paralajmërojnë për dezinformim

Zyra Federale për Menaxhimin e Personelit e Bundeswehr-it njofton se përballet me një numër të madh kërkesash të paraqitura gabimisht. Sipas zëdhënëses, “aktualisht po regjistrohen shumë kërkesa të drejtuara në mënyrë të gabuar, përmbajtja e të cilave nuk mund të identifikohet, ndaj ato kthehen pa u shqyrtuar”.

Autoritetet paralajmërojnë se, veçanërisht në rrjetet sociale, po qarkullojnë informacione të pasakta lidhur me procedurën dhe përmbajtjen e kërkesës për kundërshtim të ndërgjegjshëm, gjë që po çon në gabime gjatë paraqitjes së tyre. DW