Mbi 5 mijë të arrestuar dhe qindra të plagosur, Franca përgatitet për protesta masive të nxënësve në mbarë vendin

Franca po përgatitet për protesta të mëdha të martën, pasi organizatorët kanë bërë thirrje për një ditë protestash mbarëkombëtare në mbështetje të nxënësve dhe studentëve që kërkojnë më shumë investime në arsim.

Protestat vijnë pas një jave demonstratash, gjatë së cilës nxënësit bllokuan qindra shkolla, të paktën 190 prej tyre u plagosën dhe më shumë se 5 000 persona u arrestuan.

Kryeministri francez tha se qeveria kishte njoftuar një sërë masash për t’iu përgjigjur kërkesave të protestuesve. Megjithatë, Unioni Sindikal i Nxënësve të Shkollave të Mesme (USL), një nga organizatorët kryesorë të protestave, deklaroi se qeveria nuk kishte ofruar “asgjë konkrete”.

Organizata u bëri thirrje qytetarëve t’i bashkohen mobilizimit të së martës, përballë “këtij ngërçi politik dhe asaj që e përshkruajnë si represion të paprecedentë ndaj lëvizjes”.

Në mbështetje të nxënësve janë shprehur edhe organizata të tjera. Sindikata e mësuesve SNES-FSU u ka bërë thirrje anëtarëve të saj të marrin pjesë në protestën e së martës.

Jean-Luc Mélenchon, lideri i partisë së të majtës radikale La France Insoumise (LFI), i përshkroi protestat si “lëvizjen më të fuqishme rinore të nxënësve të shkollave të mesme dhe studentëve universitare” që nga viti 1968 – një vit i shënuar nga trazira të mëdha, kur miliona punëtorë hynë në grevë.

Vala e protestave nisi në shtator në Paris dhe më pas u përhap në të gjithë vendin. Nxënësit dhe studentët protestojnë për një sërë çështjesh, përfshirë mbipopullimin e klasave, gjendjen e amortizuar të godinave shkollore dhe mungesën e mësuesve.

Protestat nisën nga nxënësit e shkollave të mesme, të cilëve më vonë iu bashkuan edhe studentët e universiteteve.

Të dielën, kryeministri francez Sébastien Lecornu njoftoi një seri masash për të “adresuar vështirësitë me të cilat përballen nxënësit e arsimit të mesëm dhe personeli arsimor”, duke premtuar “ndryshime të dukshme” në shkolla.

Megjithatë, ai deklaroi gjithashtu: “Nuk do të bëjmë asnjë lëshim ndaj dhunës. Ne qëndrojmë në krah të nxënësve dhe stafit që janë sulmuar, si dhe të policëve dhe xhandarëve që janë plagosur.”

Përplasjet nuk janë kufizuar vetëm te bllokimi i shkollave. Në disa raste janë djegur edhe kosha mbeturinash. Ministri i Arsimit Édouard Geffray tha se 24 shkolla ishin “djegur dhe plaçkitur” që nga fillimi i protestave.

Përplasjet e dhunshme mes protestuesve dhe policisë kanë shkaktuar disa plagosje të rënda gjatë ditëve të fundit.

Sipas Ministrisë franceze të Drejtësisë, nga 5 060 personat e arrestuar që nga fillimi i lëvizjes, 87% ishin të mitur dhe 13% të rritur.

Raportohet se 14 persona janë vendosur në paraburgim, ndërsa 1 802 persona përballen me ndjekje penale, mes tyre 319 të rritur dhe 1 483 të mitur.

Qeveria dhe politikanët e së djathtës ekstreme kanë akuzuar të majtën radikale se po nxit protestat.