Arrestohet bashkëshorti i ish-drejtoreshës së Postës së Durrësit, Elisabeta Mataj. Policia e Durrësit njofton se Fetah Mataj u arrestua pasi akuzohet për veprën penale: “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, kryer në bashkëpunim.
Burime për mediat bëjnë me dije se gjate kohës që gruaja e tij ishte në krye të Postës së Durrësit, tashmë në “arrest shtëpie” për përvetësimin e 700 mijë eurove, Fetah Mataj u kërkonte çdo muaj punonjëseve shumën prej 25 mijë lekëve.
Elisabeta Mataj aktualisht ndodhet në “arrest shtëpie”, ndërsa një ditë më parë, djali i tij u vu në hetim në gjendje të lirë, pasi bashkë me shokun e tij, dhunuan një polic jashtë shërbimit.
Por ne mesin e skandalit të gruas së tij, Fetah Mataj pak kohë më parë, ishte emëruar zëvendësdrejtor i ndërmarrjes komunale të pastrim-gjelbërimit në Bashkinë Durrës.
Siç duket e gjithë familja është tashmë në telashe, ku Elisabeta Mataj akuzohet për përvetësimin e rreth 700 mijë eurove, fonde të destinuara për pagesat e pensioneve dhe ndihmave sociale, ndërsa bashkëshorti i saj për “gjobvënie”.
“Specialistët për Krimet e Rënda të DVP Durrës bënë ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg” për shtetasin F. M., 44 vjeç, banues në lagjen nr. 15, Durrës.
Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës ka caktuar ndaj shtetasit F. M. masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë, kryer në bashkëpunim”, njofton Policia.