Gjykata e Posaçme e Apelit ka shpallur të pafajshëm kryetarin e Partisë Mundësia, Agron Shehaj, edhe për veprën penale të fyerjes, në çështjen e ngritur nga kryetari i “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj.
Me vendimin e datës 1 tetor, Apeli ndryshoi vendimin e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë në pjesën që kishte shpallur Shehajn fajtor për fyerje dhe kishte vendosur ndaj tij një gjobë prej 300 mijë lekësh.
Njëkohësisht, Gjykata e Apelit la në fuqi vendimin e pafajësisë për veprën penale të shpifjes.
Çështja kishte nisur pas kërkesës së paraqitur nga Adriatik Lapaj më 1 prill 2025, lidhur me deklaratat publike të Agron Shehajt për marrëdhëniet profesionale të Lapajt me kompaninë “Merkaj 3 sh.p.k.”.
Më 21 janar 2026, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë e kishte shpallur Shehajn të pafajshëm për shpifje, ndërsa e kishte dënuar për fyerje. Ky dënim është rrëzuar tashmë nga Gjykata e Posaçme e Apelit.
Në përfundim të procesit në Apel, Agron Shehaj është shpallur i pafajshëm për të dyja veprat penale, “Fyerje” dhe “Shpifje”, për të cilat ishte akuzuar nga Adriatik Lapaj.