Teksa mazhoranca e ka bërë gati për votim projektligjin e Reformës Territoriale, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka dalë kundër ndryshimeve në këtë projektligj.
Në një letër drejtuar Kuvendit, ai u kërkon deputetëve të mos e votojnë Reformën Territoriale, pasi sipas tij, nuk pati një konsultim me qytetarët.
“Nuk mund të them sot, në emër të qytetarëve të Tiranës, se ata janë pro apo kundër hartës së propozuar. Pikërisht këtë duhet të përcaktojë procedura kushtetuese, përmes një konsultimi që nuk zhvillohet për të konfirmuar formalisht një zgjidhje të gatshme, por për t’i dhënë popullsisë së prekur mundësinë reale që të ndikojë në të. Kryetari mund të japë mendimin e tij, Këshilli Bashkiak mund të japë të vetin, propozuesit mund të argumentojnë reformën dhe Kuvendi ushtron kompetencën ligjvënëse; por asnjëri prej këtyre institucioneve nuk mund ta zëvendësojë mendimin që Kushtetuta ia rezervon vetë popullsisë së prekur”, shkruan Veliaj ndër të tjera.
Sipas tij, harta e re territoriale duhet të bëhet me ndryshimet për ligjin për qeverisjen vendore, teksa shton se në rastin e Bashkisë së Tiranës, së cilës i shtohet edhe Rinasi, nuk ka një vlerësim financiar.
“Nuk mund të vendosim sot kufijtë dhe nesër të vendosim se si do të qeveriset territori që krijuam sot. Është funksioni publik, demokracia vendore dhe interesi i komunitetit që duhet të përcaktojnë territorin optimal dhe jo territori i paracaktuar ai që më pas i imponon ligjvënësit funksionet, institucionet dhe përfaqësimin”, shkruan Veliaj.
Letra e plotë:
Ka momente në ushtrimin e një mandati publik kur detyrimi ndaj institucionit, ndaj ligjit dhe ndaj qytetarëve që të kanë besuar votën e tyre përputhen natyrshëm. Por ka edhe momente, kur respektimi i këtij detyrimi kërkon që të thuash qartë atë që mendon, edhe kur mendimi yt nuk është domosdoshmërisht më i lehti për t’u dëgjuar nga njerëzit me të cilët ke ndarë dhe vazhdon të ndash të njëjtën përgjegjësi politike. Këtë shkresë e konsideroj një moment të tillë. I përgjigjem kërkesës që më është përcjellë nëpërmjet administratës së Kuvendit, në kuadër të procedurës së iniciuar nga grupi i deputetëve propozues, si përfaqësues i një komuniteti që më ka dhënë drejtpërdrejt mandatin për ta përfaqësuar dhe për t’i shërbyer deri në përfundimin e tij.
Jam pjesë e një shumice politike që ka marrë përsipër modernizimin e shtetit shqiptar, reformimin e institucioneve dhe afrimin e vendit me standardet europiane. Pikërisht për këtë arsye besoj se kemi një përgjegjësi më të madhe: reformat tona nuk duhet t’i masim vetëm me aftësinë për t’i miratuar, por me aftësinë për t’i bërë të qëndrueshme, institucionalisht funksionale dhe legjitime.
Nuk kam një kundërshtim parimor ndaj rishikimit të hartës administrativo-territoriale. Ndryshimet demografike, ekonomike dhe sociale mund ta bëjnë një rishikim të tillë të nevojshëm. Por reforma administrativo-territoriale nuk është vizatimi i një harte të re. Ajo prek autonominë vendore, përfaqësimin demokratik, ushtrimin e mandatit të organeve të zgjedhura, kompetencat dhe funksionet bashkiake, financat vendore, aksesin e qytetarëve në shërbime dhe marrëdhënien kushtetuese ndërmjet qytetarit dhe pushtetit që ai zgjedh më pranë vetes.
Kushtetuta e ka vendosur qeverisjen vendore mbi dy themele: decentralizimin e pushtetit dhe autonominë vendore. Kur bëhet fjalë për ndryshimin e territorit, neni 108, pika 2, nuk i jep ligjvënësit një diskrecion të pakufizuar. Ndarja duhet të mbështetet mbi nevojat dhe interesat e përbashkëta ekonomikë dhe traditën historike, ndërsa kufijtë nuk mund të ndryshohen pa u marrë më parë mendimi i popullsisë që banon në to.
Janë këto premisa që paraprijnë mendimin tim.
Këto garanci kushtetuese duhet të lexohen edhe në harmoni me Karten Europiane të Autonomisë Vendore, e cila përbën një standard themelor të mbrojtjes së vetëqeverisjes vendore. Karta kërkon që autoritetet vendore të konsultohen, në kohën dhe mënyrën e përshtatshme, për çështjet që i prekin drejtpërdrejt dhe posaçërisht, që ndryshimet e kufijve territorialë të mos bëhen pa konsultimin paraprak të komuniteteve të prekura. Kjo do të thotë se konsultimi nuk mund të shërbejë për të legjitimuar ex post një zgjidhje territoriale të paracaktuar; ai duhet të zhvillohet në një fazë kur mendimi i komunitetit dhe i institucioneve vendore mund të ndikojë realisht në përmbajtjen e reformës.
I.
NDRYSHIMI I KUFIJVE NUK ËSHTË REFORMË E VETËQEVERISJES
Projektligji propozon kalimin nga 61 në 46 bashki. Ai parashikon se bashkia, si njësi bazë e qeverisjes vendore, përbëhet nga “qytetet”, se qytetet kanë një status të veçantë ligjor dhe se organizimi e përfaqësimi i bashkisë do të mbështeten në përfaqësimin proporcional të qyteteve përbërëse sipas popullsisë. Pra, nuk kemi vetëm një hartë të re, por një arkitekturë të re institucionale: bashki, qytet dhe njësi administrative ose fshatra.
Këtu nuk kemi vetëm një model të ri që mbetet për t’u plotësuar në të ardhmen, por një mospërputhje të drejtpërdrejtë me ligjin në fuqi për vetëqeverisjen vendore. Neni 6, i ligjit nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, të ndryshuar, përcakton se bashkia përbëhet nga njësitë administrative dhe se këto të fundit përbëhen nga qytetet dhe/ose fshatrat. Neni 1, pika 2, i projektligjit përmbys këtë hierarki: bashkia përbëhet nga qytetet, ndërsa qytetet përbëhen nga njësitë administrative dhe/ose fshatrat. Pra, ndërsa ligji në fuqi ndërton strukturën Bashki-Njësi Administrative-Qytet/Fshat, projektligji ndërton strukturën Bashki-Qytet- Njësi Administrative/Fshat.
Kjo mospërputhje nuk mund të lihet për t’u zgjidhur pas miratimit të hartës. Aq më tepër kur vetë projektligji deklaron se statusi i posaçëm juridik i qytetit do të rregullohet nga ligji për organizimin dhe funksionimin e pushtetit vendor, ndërkohë që ligji që sot rregullon pikërisht këtë fushë e vendos qytetin në një pozicion juridik të kundërt. Për këtë arsye, ndryshimi i ligjit nr. 139/2015 nuk paraqitet si një përshtatje eventuale pas reformës, por si kusht i koherencës normative të vetë modelit që propozohet.
Nuk mund të vendosim sot kufijtë dhe nesër të vendosim se si do të qeveriset territori që krijuam sot. Është funksioni publik, demokracia vendore dhe interesi i komunitetit që duhet të përcaktojnë territorin optimal dhe jo territori i paracaktuar ai që më pas i imponon ligjvënësit funksionet, institucionet dhe përfaqësimin.
Kjo nuk është vetëm një zgjedhje e politikës së mirë administrative, por logjika mbi të cilën është ndërtuar vetë ligji nr. 139/2015. Neni 86 i tij e lidh riorganizimin administrativo- territorial me interesat ekonomikë e sociale, traditën, kulturën, lidhjet tradicionale dhe vlerat e tjera vendore, por mbi të gjitha me qëllimin e realizimit në një nivel më të lartë të funksioneve në përfitim të bashkësisë vendore. Pra, edhe ligji në fuqi e koncepton territorin si instrument për ushtrimin më të mirë të funksioneve dhe jo funksionet si pasojë që duhet t’i përshtaten më vonë një territori të paracaktuar.
Relacioni dhe raporti shpjegues përmendin zëvendëskryetarë për qytetet, sportele të integruara, shërbime të lëvizshme, transport publik, buxhetim me pjesëmarrje, raportim performance, si dhe masa për transferimin e pasurive, detyrimeve, buxheteve dhe punonjësve. Megjithatë, këto garanci nuk janë përfshirë në dispozitat e projektligjit. Relacioni shpjegues nuk mund të zëvendësojë normën juridike. Elementet që kushtëzojnë funksionimin e hartës së re duhet të përkthehen në dispozita të qarta, të detyrueshme dhe të zbatueshme.
II.
LIGJI PËR VETËQEVERISJEN VENDORE DHE HARTA E RE DUHET TË TRAJTOHEN SË BASHKU
Ligji nr. 139/2015 nuk është një ligj teknik për administratën bashkiake. Ai përcakton autonominë, subsidiaritetin, organet, funksionet, kompetencat, financimin dhe marrëdhënien qendër-vendor. Vetë ligji e përkufizon subsidiaritetin si ushtrimin e funksioneve dhe kompetencave në nivelin e qeverisjes sa më pranë komunitetit, duke marrë parasysh natyrën e detyrës, eficiencën dhe ekonominë. Po ashtu përcakton se misioni i vetëqeverisjes përfshin qeverisjen sa më pranë qytetarëve, njohjen e identiteteve të ndryshme të bashkësive, realizimin e shërbimeve sipas nevojave të tyre dhe pjesëmarrjen gjithëpërfshirëse të komunitetit.
Prandaj pyetja që kërkon një përgjigje nga Ju është: A mund të përcaktojmë fillimisht territorin dhe vetëm më pas të vendosim modelin e vetëqeverisjes që do të funksionojë mbi të?
Vlerësimi im është se këto dy procese duhet të jenë së paku të njëkohshme. Përpara miratimit përfundimtar të hartës duhet të jenë të qarta pasojat e saj mbi kompetencat, funksionet, financimin, përfaqësimin, organizimin administrativ dhe ofrimin e shërbimeve. Përndryshe, harta nuk do të jetë produkt i modelit të vetëqeverisjes, por modeli i vetëqeverisjes do të detyrohet të bëhet produkt i hartës.
Kjo çështje bëhet edhe më konkrete në dritën e nenit 92 të ligjit nr. 139/2015, i cili kërkon që njësitë e krijuara ose të prekura nga riorganizimi të funksionojnë normalisht “sipas këtij ligji”, duke garantuar vazhdimësinë e funksioneve dhe shërbimeve bazë. Nëse projektligji i ri ndryshon strukturën territoriale, krijon një status të ri juridik për “qytetin” dhe parashikon një logjikë të re përfaqësimi, atëherë duhet të jetë e qartë, përpara hyrjes në fuqi të hartës së re, se si këto ndryshime do të funksionojnë brenda ose nëpërmjet ndryshimit të ligjit bazë të vetëqeverisjes vendore. Përndryshe krijohet një boshllëk ndërmjet hartës së re dhe regjimit juridik që duhet ta bëjë atë funksionale.
Kërkon sqarim të posaçëm edhe marrëdhënia ndërmjet nenit 3 të projektligjit dhe nenit 92, pika 1, të ligjit nr. 139/2015. Projektligji parashikon vazhdimin e funksionimit të organeve të zgjedhura në vitin 2023 deri në konstituimin e organeve të reja në vitin 2027, ndërsa ligji në fuqi parashikon zgjedhje të pjesshme kur riorganizimi me ndryshim kufijsh krijon njësi të reja ose sjell papajtueshmëri me vazhdimin e mandatit të shumicës së këshilltarëve. Duhet të përcaktohet shprehimisht regjimi që do të zbatohet dhe mënyra se si, gjatë periudhës kalimtare, do të ushtrohen kompetencat, do të administrohen të ardhurat dhe do të financohen shërbimet në territoret e prekura.
III. ÇDO NDRYSHIM TERRITORIAL DUHET TË KALOJË TESTIN E NENIT 108 TË KUSHTETUTËS
Neni 108, pika 2, vendos si kritere materiale, nevojat, interesat e përbashkëta ekonomikë dhe traditën historike. Për këtë arsye, për secilin bashkim apo ndryshim kufiri duhet të jetë e demonstrueshme: nevoja konkrete që e justifikon; interesi ekonomik i përbashkët; lidhja historike, gjeografike dhe sociale; ndikimi mbi aksesin në shërbime; ndikimi financiar dhe administrativ; ndikimi mbi përfaqësimin; ruajtja e identitetit të komunitetit; si dhe proporcionaliteti ndërmjet eficiencës administrative dhe afërsisë së qeverisjes me qytetarin.
Vetë propozuesit kanë identifikuar si objektiva të reformës ruajtjen e identitetit vendor dhe ekuilibrin ndërmjet eficiencës dhe afërsisë me qytetarin. Këto nuk mund të mbeten vetëm objektiva politike të relacionit. Ato duhet të bëhen kritere të demonstrueshme për çdo ndryshim konkret territorial dhe standard i njëjtë vlerësimi për çdo territor të propozuar.
Për Bashkinë Tiranë, projektligji ka pasoja të drejtpërdrejta, sepse parashikon përfshirjen e njësisë administrative “Rinas” në territorin e saj. Përpara se Bashkia Tiranë të japë një mendim të plotë dhe të argumentuar, duhet t’i vihet në dispozicion një vlerësim i posaçëm mbi popullsinë dhe territorin e prekur, kompetencat dhe shërbimet që do të transferohen, pasuritë dhe detyrimet, ndikimin mbi të ardhurat dhe shpenzimet vendore, personelin, planifikimin e territorit dhe vazhdimësinë e shërbimeve publike.
Nga dokumentacioni i përcjellë rezulton se nisma legjislative i përket grupit të deputetëve propozues dhe se administrata e Kuvendit ka kryer përcjelljen e saj për marrjen e mendimeve. Ky dallim institucional duhet të ruhet, por çështja kryesore është rendi në të cilin po zhvillohet procedura e posaçme e riorganizimit territorial.
Neni 89 i ligjit nr. 139/2015 parashikon se propozimi për riorganizimin, për çdo rast të veçantë, i paraqitet Kuvendit së bashku me arsyet ekonomike, sociale, kulturore, demografike dhe administrative, mendimin e popullsisë së njësive që riorganizohen, hartat përkatëse dhe mënyrën e rregullimit të çështjeve financiare dhe të detyrimeve. Në rastin konkret, projektligji është hartuar dhe depozituar me ndarjen e re, tabelat, hartat dhe zgjidhjet përkatëse, ndërsa mendimi i popullsisë kërkohet pasi kjo zgjidhje është formuluar.
Edhe raporti që shoqëron projektligjin e paraqet marrjen e mendimit të popullsisë si një proces që do të plotësohet përpara shqyrtimit përfundimtar në seancë plenare. Kjo tregon se mendimi i popullsisë nuk ka qenë pjesë e materialit mbi të cilin është ndërtuar fillimisht zgjidhja territoriale, por synohet t’i bashkëngjitet asaj në një fazë të mëvonshme.
Një sekuencë e tillë krijon rrezikun që konsultimi të reduktohet në një procedurë formale për të plotësuar dokumentacionin e një projekti tashmë të përfunduar, në vend që të shërbejë si proces real për formimin ose ndryshimin e zgjidhjes territoriale. Për të shmangur këtë pasojë, duhet të provohet se konsultimi zhvillohet mbi alternativa ende të hapura, se qytetarëve u jepet informacion i plotë për pasojat e ndryshimit dhe se rezultatet e konsultimit mund të sjellin rishikimin e hartës, të tabelave dhe të përmbajtjes së projektligjit.
Neni 90, pika 3, i ligjit nr. 139/2015 u njeh organeve vendore një afat prej 60 ditësh nga marrja e kërkesës së propozuesit për shprehjen e mendimit. Edhe dokumentacioni i përcjellë Bashkisë parashikon afatin 60-ditor. Respektimi i këtij afati është i domosdoshëm, por afati, i vetëm, nuk e zgjidh problemin e sekuencës: konsultimi duhet të ketë mundësi reale të ndikojë mbi një zgjidhje që nuk është trajtuar si e pakthyeshme.
IV.
MENDIMI I POPULLSISË ËSHTË KUSHT KUSHTETUES PARAPRAK
Kushtetuta nuk kërkon vetëm informimin e qytetarëve. Neni 108, pika 2, kërkon që kufijtë të mos ndryshohen pa u marrë më parë mendimi i popullsisë. Fjala “më parë” përcakton një kusht paraprak dhe jo një formalitet që mund të përmbushet pasi zgjidhja territoriale është përfunduar. E njëjta sekuencë reflektohet në nenin 89 të ligjit nr. 139/2015, i cili e përfshin mendimin e popullsisë ndër elementet që shoqërojnë propozimin kur ai i paraqitet Kuvendit.
Për rrjedhojë, konsultimi duhet të jetë i informuar, gjithëpërfshirës, i dokumentuar dhe i zhvilluar në një fazë kur alternativa territoriale është ende realisht e hapur. Duhet të bëhen të njohura territori dhe popullsia e prekur, arsyet e ndryshimit, pasojat mbi përfaqësimin, shërbimet, financat dhe pronat, mënyra e konsultimit, pjesëmarrja, qëndrimet e shprehura dhe mënyra se si ato janë marrë në konsideratë. Pa këto elemente, marrja e mendimit rrezikon të mbetet vetëm një konfirmim formal i një vendimmarrjeje të kryer më parë.
Dokumentacioni i përcjellë kërkon mendimin e argumentuar të Kryetarit të Bashkisë, shqyrtimin dhe qëndrimin institucional të Këshillit Bashkiak, përfshirë qëndrimet alternative, si dhe organizimin e konsultimit të popullsisë nga Bashkia. Kryetari dhe Këshilli janë organe të ndryshme, me legjitimitet dhe kompetenca të dallueshme. Këshilli duhet të ketë mundësinë të njihet me mendimin institucional të Kryetarit dhe ta marrë atë në konsideratë, pa qenë i detyruar prej tij, përpara se të formojë përfundimisht qëndrimin e vet.
Në rastin e Bashkisë Tiranë ekziston një rrethanë institucionale që Kuvendi nuk mund ta anashkalojë. Në procedurën e iniciuar nga propozuesit dhe të përcjellë nëpërmjet Kuvendit, Bashkisë Tiranë i është kërkuar, si pjesë e të njëjtit proces, të paraqesë mendimin e argumentuar të Kryetarit dhe qëndrimin e Këshillit Bashkiak, si dhe të organizojë konsultimin e popullsisë. Këto nuk janë tri formalitete të shkëputura, por elemente plotësuese të formimit të qëndrimit institucional dhe të marrjes së mendimit të komunitetit.
Kryetari duhet të kishte mundësinë të paraqiste mendimin e tij përpara Këshillit, ndërsa Këshilli, pa qenë në asnjë mënyrë i detyruar prej tij, duhet të kishte mundësinë ta merrte atë në konsideratë gjatë formimit të qëndrimit të vet. Kjo është bërë objektivisht e pamundur. Kryetari ndodhet nën një masë që pengon ushtrimin normal të mandatit dhe kërkesa për t’i mundësuar pjesëmarrjen në këtë proces është refuzuar nga SPAK.
Kështu krijohet një kontradiktë institucionale. Kuvendi kërkon ushtrimin e një funksioni nga organi i zgjedhur vendor, ndërsa efekti i një mase të marrë në kuadër të kompetencave të një organi tjetër shtetëror e bën të pamundur ushtrimin efektiv të këtij funksioni. Pasoja nuk prek vetëm Kryetarin; ajo cenon plotësinë e qëndrimit të Këshillit dhe të procesit përmes të cilit Bashkia duhet të organizojë e të përcjellë mendimin e qytetarëve, të cilin neni 108, pika 2, i Kushtetutës e kërkon përpara ndryshimit të kufijve.
V. PËRFAQËSIMI PROPORCIONAL I “QYTETEVE” KËRKON SQARIM KUSHTETUES PËRPARA MIRATIMIT
Projektligji parashikon gjithashtu që organizimi dhe përfaqësimi i bashkisë të mbështeten në parimin e përfaqësimit proporcional të qyteteve përbërëse sipas popullsisë. Nëse “qyteti” bëhet njësi referimi për përbërjen e organit përfaqësues të bashkisë, atëherë ndërhyhet drejtpërdrejt në mënyrën se si përkthehet vota e qytetarëve në përfaqësim politik.
Kushtetuta përcakton se këshillat e njësive bazë zgjidhen me zgjedhje të përgjithshme, të drejtpërdrejta dhe votim të fshehtë dhe se e drejta për të zgjedhur organet vendore lidhet me banimin e përhershëm në territorin e njësisë përkatëse. Prandaj përpara se të miratohet parimi i ri duhet të sqarohet:
Çfarë është “qyteti” për qëllime zgjedhore? A krijohen zona territoriale përfaqësimi brenda bashkisë? Si ruhet barazia e votës ndërmjet qytetarëve që banojnë në qytete të ndryshme? Si përfaqësohen banorët e fshatrave dhe njësive administrative? Dhe mbi të gjitha, a mund të përcaktohet sot parimi i përfaqësimit, ndërkohë që mekanizmi juridik dhe zgjedhor për realizimin e tij lihet për një ndërhyrje të ardhshme legjislative?
Këto çështje nuk mund t’i lihen vetëm legjislacionit të ardhshëm zgjedhor, sepse vetë projektligji territorial po përcakton që sot parimin mbi të cilin do të ndërtohet përfaqësimi. Kur ligji që përcakton territorin përcakton njëkohësisht edhe njësinë territoriale të referimit për përfaqësimin politik, ai duhet të jetë i parashikueshëm në pasojat e tij mbi barazinë e votës dhe përfaqësimin e komuniteteve përbërëse.
VI. KOMPETENCA PËR RIORGANIZIMIN E BRENDSHËM DUHET TË KUFIZOHET QARTË
Projektligji parashikon që Këshilli Bashkiak mund të ndryshojë emërtimin, shtrirjen territoriale dhe kufijtë e njësive administrative përbërëse dhe të nënndarjeve të tyre, me miratim përfundimtar nga Këshilli i Ministrave. Formulimi duhet të përcaktojë shprehimisht se kjo kompetencë ushtrohet vetëm për riorganizime të brendshme që nuk ndryshojnë kufirin e jashtëm të bashkisë dhe nuk transferojnë territor nga një bashki te një tjetër.
Ligji nr. 139/2015 njeh kompetenca për përditësimin e hartave administrativo-territoriale mbi bazën e ligjit në fuqi për ndarjen territoriale. Përditësimi teknik ose hartografik i një kufiri të përcaktuar me ligj nuk është i njëjtë me ndryshimin juridik të shtrirjes territoriale. Projektligji duhet t’i ndajë qartë këto dy raste dhe të mos lejojë që një kompetencë për organizimin e brendshëm të interpretohet si kompetencë për ndryshimin e kufijve ndërmjet bashkive.
Nëse synohet kalimi i territorit nga një bashki në një tjetër, një ndryshim i tillë duhet të realizohet me ligj të veçantë dhe në respektim të plotë të nenit 108, të Kushtetutës dhe të procedurës së parashikuar në ligjin nr. 139/2015. Vendimi i Këshillit Bashkiak dhe miratimi i Këshillit të Ministrave nuk mund ta zëvendësojnë këtë procedurë.
Të gjitha këto çështje lidhen, në fund, me një kërkesë themelore të shtetit të së drejtës: parashikueshmërinë dhe sigurinë juridike. Një reformë që ndryshon njëkohësisht territorin, strukturën e brendshme të bashkive dhe parimin e përfaqësimit të komuniteteve të tyre duhet të jetë e plotë dhe e zbatueshme që në momentin e miratimit. Nuk duhet t’i lihet legjislacionit të ardhshëm përcaktimi i elementeve pa të cilat sot nuk mund të vlerësohen plotësisht pasojat juridike, institucionale, financiare dhe demokratike të hartës që propozohet. Sa më themelore
të jetë reforma, aq më i lartë duhet të jetë standardi i qartësisë dhe koherencës së saj normative.
VII.
PËRFUNDIME DHE KËRKESA
Për të gjitha këto arsye, vlerësoj se projektligji, në formën dhe në fazën procedurale në të cilën më është përcjellë, nuk ofron ende të gjitha garancitë dhe elementet normative të nevojshme për miratimin e një reforme me këtë rëndësi kushtetuese. Në veçanti, hartimi dhe depozitimi i zgjidhjes territoriale përpara marrjes së mendimit të popullsisë krijon rrezikun që konsultimi të zhvillohet si formalitet pasues dhe jo si proces që ndikon realisht në përmbajtjen e reformës. Ky qëndrim nuk përbën kundërshtim ndaj nevojës për të rishikuar organizimin territorial, por kërkesë që reforma të jetë e plotë, koherente, realisht e konsultuar dhe kushtetutshmërisht e qëndrueshme.
Përpara vijimit të procesit dhe miratimit përfundimtar të hartës së re, konsideroj të nevojshme që:
1. Të pezullohet vijimi i shqyrtimit përfundimtar të projektligjit deri në zhvillimin dhe dokumentimin e konsultimit real, paraprak dhe efektiv të popullsive të prekura, në një fazë kur rezultatet e tij mund të sjellin rishikimin e zgjidhjes territoriale;
2. Të bëhen publike metodologjia e konsultimit, informacioni i vënë në dispozicion të qytetarëve, pjesëmarrja, qëndrimet e shprehura dhe mënyra se si ato janë reflektuar ose arsyet e mosreflektimit të tyre;
3. Në rastin e Bashkisë Tiranë, të krijohen kushtet që procesi institucional të zhvillohet plotësisht, duke përfshirë mendimin e Kryetarit, shqyrtimin e informuar nga Këshilli Bashkiak dhe konsultimin real të qytetarëve;
4. Për përfshirjen e njësisë administrative “Rinas” në Bashkinë Tiranë, të paraqitet vlerësimi i plotë territorial, demografik, administrativ dhe financiar, përfshirë pasuritë, detyrimet, personelin, të ardhurat, shpenzimet dhe vazhdimësinë e shërbimeve publike; 5. Të harmonizohet projektligji territorial me ndryshimet e nevojshme në ligjin nr. 139/2015 dhe të përfshihen në dispozita detyruese statusi juridik i “qytetit”, funksionet, organizimi, financimi dhe garancitë e shërbimeve;
6. Të përcaktohet mekanizmi juridik dhe zgjedhor i përfaqësimit proporcional të qyteteve, duke garantuar barazinë e votës dhe përfaqësimin e banorëve të fshatrave dhe njësive administrative;
7. Të harmonizohet neni 3 i projektligjit me nenin 92 të ligjit nr. 139/2015 dhe të rregullohet qartë administrimi i periudhës kalimtare, përfshirë organet kompetente, pasuritë, detyrimet, buxhetet, personelin dhe ofrimin e shërbimeve;
8. Të dokumentohet, për çdo ndryshim konkret territorial, përmbushja e kritereve materiale të nenit 108, pika 2, të Kushtetutës dhe nenit 86, të ligjit nr. 139/2015;
9. Të përcaktohet shprehimisht se kompetenca e këshillave bashkiakë për riorganizimin e njësive administrative kufizohet brenda territorit të bashkisë dhe nuk përfshin ndryshimin e kufijve të jashtëm ose transferimin e territorit ndërmjet bashkive.
Të nderuar zonja dhe zotërinj deputet,
Nuk mund të them sot, në emër të qytetarëve të Tiranës, se ata janë pro apo kundër hartës së propozuar. Pikërisht këtë duhet të përcaktojë procedura kushtetuese, përmes një konsultimi që nuk zhvillohet për të konfirmuar formalisht një zgjidhje të gatshme, por për t’i dhënë popullsisë së prekur mundësinë reale që të ndikojë në të. Kryetari mund të japë mendimin e tij, Këshilli Bashkiak mund të japë të vetin, propozuesit mund të argumentojnë reformën dhe Kuvendi ushtron kompetencën ligjvënëse; por asnjëri prej këtyre institucioneve nuk mund ta zëvendësojë mendimin që Kushtetuta ia rezervon vetë popullsisë së prekur.
Jam zgjedhur për t’u shërbyer qytetarëve të Tiranës deri në përfundimin e mandatit tim. Kjo përgjegjësi nuk bëhet më e vogël kur ushtrimi i saj bëhet më i vështirë. Përkundrazi, pikërisht në këto momente provohet nëse mandati publik kuptohet si një pozicion që i përket përkohësisht titullarit të tij, apo si një përgjegjësi që buron nga qytetarët dhe duhet ushtruar në shërbim të tyre.
Ndaj, institucioni “Bashkia Tiranë” duhet të ushtrojë kompetencën që i ka dhënë Kushtetuta dhe asnjë kompetencë tjetër shtetërore nuk duhet të ushtrohet në mënyrë të tillë që ta bëjë këtë kompetencë praktikisht të pavlefshme.
Ndarja dhe pavarësia e pushteteve nuk nënkuptojnë izolimin e tyre nga rendi i përbashkët kushtetues. Çdo organ është i pavarur në ushtrimin e kompetencave që Kushtetuta dhe ligji i kanë dhënë, por asnjë kompetencë nuk duhet të ushtrohet në një mënyrë që e zhvesh një kompetencë tjetër kushtetuese nga përmbajtja e saj reale. Respektimi i sferës së kompetencave, funksionit dhe legjitimitetit demokratik të institucioneve të tjera është pjesë e vetë parimit të shtetit të së drejtës.
Besoj se shumica politike së cilës i përkas nuk duhet t’i druhet këtij standardi. Përkundrazi, një shumicë që ka marrë përsipër reforma të thella institucionale duhet të ketë ambicien që reformat e saj të jenë të qëndrueshme jo vetëm për sa kohë ajo disponon votat për t’i miratuar, por edhe kur ato t’i nënshtrohen provës së kohës, kontrollit kushtetues dhe zbatimit nga shumica të tjera politike.
Kur Kushtetuta kërkon që qytetarët të dëgjohen, detyra jonë është të krijojmë kushtet që ata të flasin vetë dhe pastaj t’i dëgjojmë.