KPP kërkon rivlerësim të tenderit 2.2 mln euro për ujësjellësin, skualifikohet fituesi paraprak

Komisioni i Prokurimit Publik (KPP) ka urdhëruar rivlerësimin e procedurës për ndërtimin e ujësjellësit në fshatrat Urake-Kotodesh-Katjel, në Bashkinë Prrenjas, pas ankesës së një prej operatorëve pjesëmarrës.

Tenderi, me fond limit 202.4 milionë lekë pa TVSH, ose rreth 2.2 milionë euro, është zhvilluar nga Shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Pogradec. KPP vendosi të pranojë pjesërisht ankesën dhe kërkoi nga autoriteti kontraktor rivlerësimin e procedurës, duke skualifikuar operatorin ekonomik të shpallur më parë fitues paraprak.

Procedura u publikua më 26 maj 2026 dhe tenderi u zhvillua më 22 qershor. Sipas vendimit të KPP-së, operatori ankimues kishte paraqitur ofertën prej 185.03 milionë lekësh pa TVSH dhe kishte marrë 271.5 pikë, ndërsa operatori i shpallur fitues paraprak kishte ofruar 195.34 milionë lekë dhe kishte marrë 274.5 pikë. Fituesi paraprak u shpall më 16 korrik.

Më 21 korrik, operatori ankimues iu drejtua KPP-së, duke kundërshtuar si pikëzimin e propozimit të tij teknik, ashtu edhe kualifikimin e operatorit të shpallur fitues paraprak. Ankesa ishte refuzuar më parë nga autoriteti kontraktor. Një nga pretendimet kryesore lidhej me kriterin teknik për disponimin e një makinerie/sonde HDD për shpim horizontal të drejtuar. Dokumentet e tenderit kërkonin shprehimisht që operatori ekonomik të kishte në dispozicion këtë pajisje, e cila, sipas argumentimit të autoritetit kontraktor, ishte e nevojshme për realizimin e shpimit të mikrotunelit.

Nga shqyrtimi i dokumentacionit të operatorit të shpallur fitues paraprak, KPP konstatoi se një prej kontratave të qirasë nuk ishte në formën e kërkuar nga kriteret e tenderit, ndërsa pajisja e deklaruar ishte një sondë shpimi dhe jo një sondë HDD për shpim horizontal të drejtuar. Edhe për kontratën tjetër të paraqitur, KPP konstatoi se pajisjet e listuara ishin modele të ndryshme sondash shpimi dhe “jo sondë (HDD) për shpim horizontal të drejtuar sipas kërkesës së kriterit 2.3.10”.

“KPP gjykon, se arsyeja e pretenduar nga ankimuesi për shfuqizimin e vendimit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave lidhur me kualifikimin për operatorin ekonomik […] qëndron”, thuhet në vendim.

Komisioni shton se operatori, “me dokumentacionin e paraqitur nuk vërteton të ketë në një nga format e kërkuara ‘Makineri /sonde (HDD) për shpim horizontal të drejtuar’”, duke mos përmbushur kriterin përkatës. Për një tjetër pretendim të ankimuesit, që lidhej me disponimin e një grejderi, KPP arriti në përfundimin se dokumentacioni i operatorit të shpallur fitues paraprak përmbushte kërkesat e tenderit dhe se ky pretendim “nuk qëndron”.

Pas konstatimit për sondën HDD, KPP vendosi të mos shqyrtojë pretendimet e tjera për pikëzimin teknik dhe makineritë e tjera, duke argumentuar se statusi i operatorit të shpallur fitues paraprak do të ndryshonte në operator të skualifikuar nga procedura.

Në vendimin e 28 shtatorit, KPP urdhëron autoritetin kontraktor “të kryejë rivlerësim të procedurës së prokurimit objekt ankimi”, duke skualifikuar operatorin ekonomik të shpallur më parë fitues paraprak, në përputhje me konstatimet e vendimit. Monitor