Dënimi i 4 liderëve të UÇK-së, Von der Leyen nga Prishtina: Askush s’mund ta rishkruajë historinë e Kosovës

Presidetja e Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen ka folur nga Prishtina për dënimin në Hagë të ish-krerëve të UÇK-së.

Në një konferencë për mediat, diplomatja europiane tha se asgjë dhe askush nuk mund të rishkruajë historinë e Kosovës.

“Asgjë dhe askush nuk mund ta rishkruajë historinë e Kosovës. Viti 1999 është i skalitur në memorien tuaj kolektive – represioni i dhunshëm, kriza humanitare dhe vuajtja e popullit tuaj. BE-ja ka qëndruar me ju që nga ajo kohë”, tha Von der Leyen.

Ndërkohë shtoi se vendimi ka shkaktuar emocione të fuqishme te populli i Kosovës, ndërsa vlerësoi reagimet e qytetarëve dhe liderëve politikë që kanë bërë thirrje për qetësi.

“Aktgjykimi i Gjykatës Speciale ka shkaktuar emocione të fuqishme dhe çmoj reagimin tuaj të matur dhe të liderëve politikë që thërrasin për qetësi”, tha ajo.

Ajo u pyet nga gazetarët edhe për Projektligjin e propozuar nga PDK-ja për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Von der Leyen tha se kjo është çështje e Kosovës, por pavarësia e gjyqësorit është kusht.

“I përket Kosovës që të vendosë. Është me rëndësi që të garantohet pavarësia e gjyqësorit. Në këtë kuadër i përket Kosovës që të vendosë se çfarë është e nevojshme të bëhet ose jo, por është me rëndësi që gjyqësori të mbahet i pavarur”.