Prostitucion në apartamente me qira ditore në Tiranë, arrestohen 5 shtetase të huaja

Një tjetër rast i ushtrimit të prostitucionit është goditur nga policia në Tiranë.

Në pranga kanë përfunduar  5 shtetase të huaja (3 vietnameze dhe 2 kineze) që ushtronin këtë veprimtari në 3 apartamente në rrugët “Qemal Stafa”, “Him Kolli” dhe “Tomor Malasi”.

Shpallet në kërkim një shtetas vietnamez që shfrytëzonte 3 prej shtetasve të arrestuara, me të njëjtën shtetësi.

Ndërkohë policia ka sekuestruar 5 celularë me të cilët kryheshin postime në rrjete sociale rreth kësaj veprimtarie.

Njoftimi i policisë:

Tiranë/Finalizohet operacioni i koduar “Last meeting”, kundër ushtrimit të prostitucionit, në banesa me qira ditore, veprimtari e cila reklamohet edhe në rrjete sociale.

Arrestohen 5 shtetase të huaja (3 vietnameze dhe 2 kineze) që ushtronin këtë veprimtari në 3 apartamente në rrugët “Qemal Stafa”, “Him Kolli” dhe “Tomor Malasi”.

Shpallet në kërkim një shtetas vietnamez që shfrytëzonte 3 prej shtetasve të arrestuara, me të njëjtën shtetësi.

Vihen në hetim 2 shtetas, përfitues nga kjo veprimtari.

Sekuestrohen 5 celularë me të cilët kryheshin postime rreth kësaj veprimtarie.

Si rezultat i punës operative dhe monitorimit në hapësirën digjitale, me objektiv konstatimin dhe goditjen e rasteve të reklamimit në rrjete sociale, të prostitucionit që ushtrohet nga shtetase të huaja, në banesa të marra me qira ditore, në kryeqytet, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve finalizuan operacionin e koduar “Last meeting”.

Gjatë operacionit u arrestuan shtetaset që ushtronin këtë veprimtari në 3 apartamente, V. P., 40 vjeçe, P. K., 42 vjeçe dhe P. M., 33 vjeçe, të trija vietnameze, si dhe L. Y., 42 vjeçe dhe X. H., 42 vjeçe, të dyja kineze.

Më tej, u shpall në kërkim shtetasi vietnamez, T. T., 35 vjeç, pasi dyshohet se ka siguruar kundrejt përfitimeve, kushtet për kryerjen e kësaj veprimtarie nga 3 shtetaset vietnameze të arrestuara. Punohet intensivisht për kapjen e këtij shtetasi.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.