Rama për arrestimin e drejtueses së SHISH: KE i sheh si arsye për ta konsideruar Shqipërinë një partner serioz

Kryeministri Edi Rama gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen është pyetur edhe për arrestin e dejtueses së SHISH, Vlora Hyseni.

Sipas kreut të qeverisë, ky rast nuk ka shkaktuar shqetësim te partnerët e vendit tonë. Ndërkohë shtoi se ngjarje, të cilat në Shqipëri trajtohen si arsye për të goditur dhe për të përhapur valë dëshpërimi, Komisioni Europian i sheh ndryshe, madje sipas tij, i sheh si arsye për ta konsideruar Shqipërinë një partner serioz

“Për KE-në, ngjarje që këtu trajtohen si arsye për të goditur dhe për të përhapur valë dëshpërimi, i sheh si arsye për ta konsideruar Shqipërinë një partner serioz dhe një vend që aspiratat e veta i ka të lidhura me faktet e një përpjekjeje të përditshme në të gjitha aspektet dhe, ndër këto aspekte, me provat e një lufte pa kompromis kundër krimit dhe korrupsionit. Nga KE-ja shihen si progres. Ne jetojmë sot në një epokë vetëtransformimi, nëse nuk e quajmë vetëtransformim epokën kur Shqipëria i kthehet një vendi të izoluar me pretendimin se ishte fari i komunizmit botëror.

Sa më takon, ne jemi më shumë se asnjëherë më parë në rrugën e duhur dhe, siç e thashë dhe po e përsëris, deri dje korrupsioni ishte sistemi. Sot, për herë të parë, ky vend ka një sistem që ka fituar dhe fiton dita-ditës aftësi vetëkorrigjuese, vetëpastruese, ato antikorpe që i ka çdo sistem demokratik, falë ndarjes së pushteteve, ku çdo pushtet bën punën e vet. Sa u takon informacioneve sensitive, kjo është një çështje që i duhet lënë gjykatës, jo leximit sporadik të materialeve hetimore që nxirren për t’ia bërë çorap opinionin publik. Procesi do të tregojë nëse ka apo nuk ka gjëra që kanë cenuar.

Një shqetësim i tillë, që na vjen nga shpërndarësit dhe gatuesit e materialeve të nxjerra rrugëve, nuk na ka ardhur deri më tani nga asnjë partner. Kur fola për partnerët që kanë mbetur pa fjalë, thashë për partnerët në sistemin e sigurisë, që kanë punuar dhe punojnë me Shërbimin. Pa fjalë se ajo që i është bërë Shërbimit me atë metodë është e paparë në historinë e botës. Por është pjesë e një procesi. Unë nuk pres asgjë më shumë dhe asgjë më pak sesa prokurorët të bëjnë punën e tyre, gjykata të bëjë e pandikuar punën e vet dhe në fund do të dalë edhe rezultati“, tha Rama.