Rama “lan duart” me skandalin e SHISH, sulmon SPAK e GJKKO: Nuk mund të trajtohen çështjet me thashetheme

Teksa vendi po zien nga skandali me SHISH, kryeministri Edi Rama ka zgjedhur të sulmojë drejtësinë dhe mediat, që kanë publikuar pjesë nga dosja, se se Vlora Hyseni ishte vënë në shërbim të Ergys Agasit, gjatë kohës që ky i fundit ishte në kërkim për dosjen AKSHI.

Rama sulmoi SPAK dhe GJKKO dukë thënë se nxorrën në shesh sekrete hetimore dhe sipas tij një institucion me ndjeshmëri të veçantë u ekspozua ndaj potencialit të një dëmi të madh, që mund dhe duhej të ishte parandaluar plotësisht.

Madje sipas Ramës, njerëz të medias përdoren nga prokurorët dhe gjykatësit për t’i shpallur njerëzit fajtorë pa nisur gjyqi.

“Nuk mund të lincohet një institucion dhe një ish-drejtuese në këtë farë derexheje. Nuk mund të trajtohen çështjet me thashetheme. Njerëzit nuk mund të shpallen fajtorë pa nisur gjyqi. Vlora Hyseni u lincua përpara se ta gjykojë gjykata. SPAk dhe GJKKO nxorrën në shesh sekrete hetimore që diskutohen si thashetheme në publik

Çdo masë kufizimi e lirisë nga organi i akuzës, për cilindo qoftë që s’ka imunitet parlamentar, kundërshtohet vetëm në gjykatë dhe jo me opinion e krye as në foltoren e Kryeministrit.

Respekti për pavarësinë e drejtësisë nuk do të thotë heshtje edhe kur një shqetësim parimor shfaqet gjatë veprimtarisë së organeve të saj.

Në këtë rast, përveç dhe përtej çështjes penale individuale, ka një fakt tjetër parimor, shtetëror, që nuk mund të anashkalohet sikur s’ka ndodhur.

Gjatë marrjes së masës dhe administrimit gjyqësor të dosjes, një institucion me ndjeshmëri të veçantë u ekspozua ndaj potencialit të një dëmi të madh, që mund dhe duhej të ishte parandaluar plotësisht.

Të dhënat e dosjes hetimore vërshonin nëpër kanale sociale, para se gjykata të urdhëronte kufizimin e publikimit të tyre”, tha Rama.