Reforma në Drejtësi, Rama lëshon gojën: Pa mua, SHBA dhe BE do kishin bërë ‘Noc Rrokun’

Kryeministri Edi Rama foli sot për herë të parë pas skandalit me Vlora Hysenin e SHISH, teksa tha se kjo është cështje personale mes saj deh drejtësisë.

Rama iu përgjigj akuzave të opozitës duke thënë se nuk ka kryer kurrë korrupsion kur ka qenë në krye të Bashkisë Tiranë, dhe as tani që ndodhet në mandatin e katërt si kryeministër.

“Nuk ka një provë të vetme që një bir nëne ta ketë një qindarkë të tijën në xhepin tim apo në të ardhurat e familjes tonë apo në këmbim të një firme të vetme të hedhur nga unë si kryebashkiak apo si kryeministër, nuk ka ndodhur kurrë, sepse nuk ka lindur ende ai lloj fenomeni. Nuk jam engjëll apo i pagabueshëm, po fajin që në mënyrë bastardë nuk kam bërë kurrë, të trajtoj për para apo për prona pushtetin që shqiptarëve u kam kërkuar për të ndryshuar Tiranën apo Shqipërinë. Kush ka përfituar të drejta kushtetuese të zhvillimit të pronës apo investime dhe falë firmës time, e di shumë mirë se çfarë flas, e di shumë që pushteti im nuk është përdorur kurrë për favore të errëta apo dhurata të paligjshme. Jam për të lënë emrin, jo për të mbushur xhepin, jam për të bërë histori, jo për të bërë pasuri, jam për të transformuar Shqipërinë dhe jo për të deformuar vetveten”,- tha Rama.

Më tej ai tha se mbështetja ndërkombëtare ka qenë e rëndësishme për reformën në drejtësi, por siç u shpreh ai “pa PS do kishin bere Noc Rrokun”.

“Pavarësia e drejtësisë nuk ra nga qelli, nuk e solli as koha, as Amerika dhe as Evropa. Ata ndihmuan madje shumë, po pa mua dhe PS ata do kishin bërë të njëjtin Noc Rrok, që bënë me qeveritë e mëparshme deri ditën kur ne i hymë atij deti në këmbë, apo  që po bëjnë me disa qeveri të tjera në rrotull rajon”, deklaroi Rama.