Skandali me Vlora Hysenin e SHISH, Rama: Masë ekstreme, por është çështje individuale mes saj dhe drejtësisë

Kryeministri Edi Rama doli me nje video mesazh pas mbërritjes nga SHBA, pas një vizitë disa ditore atje, edhe pse ishte parashikuar qe te mbante nje konference shtypi.

Duke u ndalur te skandali me drejtuesen e SHISH, Vlora Hyseni, e cila është në arrest shtëpie pasi dyshohet se i ka dhënë informacione secrete shtetërore, Ergys Agasit, gjatë kohës që ky i fundit ka qënë në kërkim nga SPAK.

Sipas Ramës, masa ndaj Hysenit ishte masë ekstreme, ndaj cdo akuzë të provohet ose të rrëzohet.

Megjithatë Rama tha se kjo mbetet një cështje individuale mes saj dhe drejtësisë.

“Sapo jam kthyer nga New York ku siç e dini përfaqësova Shqipërinë në OKB. Vendosa të drejtohem menjëherë nga aeroporti ‘Nënë Tereza’. Zhvillimet e fundit, pas vendosjes së masës të arrestit shtëpie për ish-drejtuesen e SHISH, kërkojnë adresim të menjëhershëm dhe të drejtpërdrejtë. Ishte pa diskutim një masë ekstreme po të mbajmë parasysh se bëhet fjalë për ekspozimin e një institucioni shumë kyç. Unë s’kam të drejtën të ndërhyj në përmbajtjen e dosjes dhe çfarë e ka çuar gjykatën ta bëjë. S’e kam bërë më parë dhe as nuk do ta bëj. Çdo dyshim duhet të hetohet deri në fund. Çdo akuzë duhet të rrëzohet ose të provohet përmes një procesi të paanshëm”, tha Rama.