UGSH në mbrojtje të Klodiana Lalës: Deklarata e Vlora Hysenit, shantazh ndaj gazetares

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ka reaguar lidhur me deklaratën publike të ish-drejtores së Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni, ndaj gazetares investigative të News24, Klodiana Lala.

Në reagimin e saj, UGSH e cilëson shqetësuese përmbajtjen e deklaratës së Hysenit, e cila u bë në prani të kamerave, teksa kërkon që pretendimet e ngritura ndaj gazetares të verifikohen dhe të sqarohen përmes institucioneve kompetente.

Sipas UGSH-së, deklarata e ish-drejtueses së SHISH ngre pikëpyetje serioze mbi mënyrën se si trajtohen gazetarët dhe mbi pretendimet për survejim të tyre.

Në fokus janë deklaratat e bëra ndaj Klodiana Lalës lidhur me kontakte apo takime të pretenduara me persona të cilësuar si “spiunë serbë”. UGSH kërkon që këto pretendime të mos mbeten në nivel deklaratash publike, por të shqyrtohen në rrugë institucionale dhe mbi baza ligjore.

Unioni thekson se një proces i tillë do të shërbente për të sqaruar faktet dhe për të shmangur çdo mundësi abuzimi apo presioni publik ndaj gazetares, pavarësisht statusit të personit që i bën deklaratat.

Në reagimin e saj, UGSH nënvizon gjithashtu rëndësinë e mbrojtjes së integritetit profesional të gazetarëve dhe kërkon transparencë nga institucionet për çdo pretendim që lidhet me aktivitetin e tyre.

Deklaratë e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë

Shantazhimi apo ndalimi i gazetarëve në krye të detyrës, përbën jo vetëm akt të dënueshëm, por dëshmojnë një klimë anti lirie për raportim dhe kurajo profesionale
Tiranë më 24.09.2026
Dy episode të ndodhura sot në jetën publike të kryeqytetit tonë, në Tiranë, rikthejnë në vëmendjen e opinionit publik marrëdhënien problematike mes policisë së shtetit dhe reporterëve në terren.
UGSH shpreh indinjatën ndaj shoqërimit të gazetares Vjolanda Peca e cila raporton për Citizens.al, ndërsa po raportonte protestën që zhvillohej sot në mjedisin para Kuvendit të Shqipërisë, ku ndodheshin qytetarë të tubuar. Shoqërimi i gazetares, ( rast i përsëritur edhe në ditë të mëparshme), sikundër dhe mbajtja e saj e ndaluar, përbën një shkelje dhe cënim të rolit që ka reporteri në krye të detyrës.
UGSH i drejtohet ministrit të Brendshëm Ervin Demo dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Skënder Hita, me kërkesën që ky rast të ndriçohet dhe episode të tilla me reporterët të mos përsëriten.

Kësi rastesh po përfshihen në të gjitha raportet periodike të organizatave dhe institucioneve ndërkombëtare që indeksojnë lirinë e raportimit dhe medias në botë dhe rajon.

Episodi i dytë ka të bëjë me akuzën e drejtpërdrejtë në kamerat e shumë mediave të ish zyrtares së akuzuar, ndaj gazetares së News24, Klodiana Lala.

UGSH e konsideron deklaratën e ish drejtueses së Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni drejtuar gazetares Klodiana Lala në kushtet e një të pandehure të pyetur, si shantazh dhe deklarim shqetësues, i cili ekspozon faktin e survejimit të gazetarëve në Shqipëri.

Akuza ndaj gazetares për takime me spiunë serbë, duhet bërë pjesë e një procesi sqarues nga organet e hetimit, për të përjashtuar çdo abuzim apo shantazhim të tillë publik nga zyrtarë apo ish zyrtarë të lartë shtetërorë.

Deklarata të tilla mbartin vlerën e një atentati ndaj integritetit të gazetarit edhe kur vijnë nga persona nën akuzë dhe si mbartës të një statusi si ish titullare e shërbimit inteligjent.

Si e tillë, kjo deklaratë akuzuese ndaj gazetares, prej ish zyrtares nën hetime dhe akuza për abuzime të rënda, duhet saktësuar dhe ndriçuar me transparencë dhe plotësisht mbi baza ligjore, pa i dhënë hapësirë çdo abuzimi dhe lëndimi të integritetit të koleges.
Zyra Informuese
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë