Shehaj: Arrestimi i ish-kreut të SHISH e ka tronditur Ramën, Balluku e detyroi të shkonte në Parlament në 1 të natës

Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka komentuar zhvillimet e fundit në politikën shqiptare dhe përballjen e zyrtarëve të lartë me drejtësinë, duke e cilësuar situatën si një nga momentet më të vështira për mazhorancën.

Shehaj u ndal te masa e arrestit në shtëpi ndaj ish-drejtueses së Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni. Sipas tij, ky zhvillim e ka trembur kryeministrin Edi Rama, pasi SHISH është një institucion që bashkëpunon ngushtë me shërbime partnere të NATO-s, Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara.

Shehaj tha se përballja e një ish-drejtuesi të një institucioni të tillë me drejtësinë tregon, sipas tij, se edhe zyrtarët në nivelet më të larta nuk mund ta konsiderojnë veten të paprekshëm.

“Edi Rama nga ky lajm është i trembur si kurrë më parë, sepse është një tjetër mesazh që nuk ka të paprekshëm”, u shpreh Shehaj.

Sipas kreut të Partisë Mundësia, qëndrimi i kryeministrit Rama ndaj Ballukut ka qenë ndryshe nga ai që ka mbajtur në raste të tjera kur zyrtarë të mazhorancës janë përballur me drejtësinë.

Shehaj tha se pesha politike e Ballukut brenda Partisë Socialiste ka ndikuar në mënyrën se si është trajtuar çështja e saj.

“Reagimet e Edi Ramës janë në funksion të personit. Kur arrestojnë një ministër thotë se ministri mban përgjegjësi. Kur duan të arrestojnë zëvendëskryeministren thotë jo, sepse kjo e kërcënon se ka shumë pushtet”, deklaroi ai.

Shehaj solli si shembull edhe procedurën parlamentare për Ballukun, duke pretenduar se kryeministri u detyrua të ndërhynte personalisht në Parlament.

Ai krahasoi gjithashtu rastin e Ballukut me atë të ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, duke argumentuar se procedurat për heqjen e imunitetit kanë ecur me ritme të ndryshme.

“Uroj të vijë kërkesa e dytë për arrestimin e Ballukut, ndonëse ka gjasa që Rama të mos e lëshojë sërish”, tha Shehaj.

Kreu i “Mundësisë” hodhi akuza të forta ndaj mazhorancës, duke pretenduar se Partia Socialiste po përballet me ndarje të brendshme dhe grupe interesi

“PS është e ndarë: ose janë me Belindën, ose me Ergys Agasin, ose me Veliajn”, deklaroi Shehaj.