Vlora Hyseni e shantazhoi pasi e pyeti për Agasin, reagon Klodiana Lala: Sulm i papranueshëm, duhet të sqarojë akuzat

Vlora Hyseni, drejtoresha e SHISH, e cila po hetohet nga SPAK pasi i ka dhënë informacione sekrete Ergys Agasit, teksa ky i fundit ishte në kërkim, shatazhoi sot gazetaren Klodiana Lala.

Teksa po hynte në GJKKO, e pyetur nga gazetarja Klodiana Lala për lidhjet e saj me Ergys Agasin ajo iu përgjigj: “Klodi si kalon ti në takime me agjentët serbë në dhomat e hotelit Rogner?”

Në vend që të kthente përgjigje, Hyseni zgjidhi të përgjigjej me akuzë ndaj gazetares Lala.

Kjo e fundit ka reaguar dhe e quan deklaratën e Hysenit një sulm personal dhe shantazh, si hakmarrje e informimit të publikut me detaje për akuzat që rëndojnë mbi ish-shefen e SHISH dhe veprimtarinë kriminale në të cilën dyshohet se ajo është përfshirë.

Lala e cilësoi vulgare gjuhën e përdorur nga ish-shefja e Shërbimit Sekret shqiptar dhe theksoi heshtjen për çështjen e saj penale.

Vlora Hyseni dyshohet se ka ndihmuar nga arratia me informacionet sekrete shtetërore biznesmenin Ergys Agasi. Ky i fundit u arrestua më 26 gusht i dyshuar si kreu një grupi të strukturuar kriminal në aferën e AKSHI-t.

Ish-drejtuesja e SHISH akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për dy vepra penale: “nxjerrje të sekretit shtetëror” dhe “përkrahje të autorit të krimit”.